Papa Leone XIV i ka hequr përgjegjësinë ekskluzive për investimet, Institutit për Veprat e Fesë (IOR), sipas “Corriere della Sera”.
Praktikisht, Ati i Shenjtë i kthen kompetencat APSA-s – Administratës së Pasurisë së Selisë Apostolike, duke kufizuar pushtetet e IOR-it, që është banka e Vatikanit.
Përmes një letre apostolike “Coniuncta Cura”, mbi investimet financiare të Selisë së Shenjtë, Papa Leone XIV i referohet fjalës kyçe – “bashkëpërgjegjësi” – që do të thotë se që tani e tutje, Instituti për Veprat e Fesë, ose IOR, nuk do të ketë më të drejta ekskluzive mbi investimet.
“Në përcaktimin e aktiviteteve të investimeve financiare të Selisë së Shenjtë, Administrata e Trashëgimisë së Selisë Apostolike, në përgjithësi përdor në mënyrë efektive strukturën e brendshme organizative të Institutit për Veprat e Fesë, vetëm në rastin kur organet kompetente, siç përcaktohet nga statutet e Komitetit të Investimeve, e konsiderojnë më efikase ose të përshtatshme përdorimin e ndërmjetësve financiarë në vende të tjera”, thuhet në letër.
Në tekst, Papa Leone shpjegon se bashkëpërgjegjësia “in communio” është një nga parimet për shërbimin e Kurisë Romake, siç është kërkuar më herët nga Papa Françesku dhe përcaktohet në Kushtetutën Apostolike “Praedicate Evangelium” të 19 marsit 2022″.
“Kjo përgjegjësi e përbashkët, e cila ka të bëjë edhe me institucionet përgjegjëse për aktivitetet e investimeve financiare të Selisë së Shenjtë, kërkon që dispozitat e vendosura me kalimin e kohës të konsolidohen dhe rolet dhe përgjegjësitë e secilit institucion të përcaktohen qartë, duke bërë të mundur që të gjithë të bashkohen në një dinamikë bashkëpunimi të ndërsjellë”, thuhet në letër.
Pas vlerësimit me kujdes të rekomandimeve të miratuara unanimisht nga Këshilli për Ekonominë dhe konsultimeve të ekspertëve në këtë fushë, Papa Leone XIV shfuqizoi “Udhëzimin” e mëparshëm të vitit 2022 dhe vendosi normat e reja.