Pas afro dy muajsh pushim si pasojë e zgjedhjeve të 11 Majit, Kuvendi do t’i rikthehet të enjten punës normale. Deputetët do të ulen sërish në karriget e tyre dhe ata demokratë duket se do hyjnë me synimin e qartë: paraqitjen e provave për atë që e quajnë farsë elektorale.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ka drejtuar një mesazh deputetëve opozitarë. Ai paralajmëron se ata do të marrin pjesë në seancë dhe do të bëjnë gjithçka për të nxjerrë zbuluar “farsën elektorale”.
“Të nderuar kolegë, nesër në orën 12:00 është seanca plenare e Kuvendit, në të cilën do të marrim pjesë dhe do të bëjmë gjithçka për të paraqitur faktet e plota për farsën elektorale të 11 majit”, shkruhet në mesazhin e Bardhit.
Nesër Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet në orën 10:00 dhe do të miratojë kalendarin tre javor të punimeve të parlamentit. Seanca e fundit e kësaj legjislature do të jetë në datën 8 korrik.
Nuk dihet se çfarë aksioni do të marrin demokratët, por ata kanë premtuar se do të bëjnë betejë brenda institucioneve për të çmontuar, siç thonë, farsën elektorale.
Dhe me shumë gjasë, seanca e nesërme do të shërbejë për nxemje për aksionin e tyre edhe pse është një seancë formale ku do të miratohet vetëm kalendari i punimeve.