Pensionistët në Rroskovec shprehin mosbesim ndaj premtimeve të qeverisë për rritjen e pensioneve, që pritet të nisë nga muaji janar i vitit të ardhshëm. Ata pohojnë se premtime të tilla janë dëgjuar edhe më parë, por jeta e tyre mbetet gjithnjë më e vështirë, ndërsa çmimet rriten çdo ditë.

Në një prononcim për SYRI TV, pensionistët theksojnë se pensionet aktuale janë qesharake dhe nuk mjaftojnë as për nevojat më bazike. Shumica e tyre mezi arrijnë të paguajnë dritat, ujin dhe taksat bashkiake, ndërkohë që për ilaçet shpesh detyrohen të kërkojnë ndihmë nga fëmijët ose të afërmit.
‘Këto pensione që marrim nuk na dalin për asgjë. Me 9 apo 10 mijë lekë në muaj, çfarë të bëjmë më parë? Ilaçet janë të shtrenjta, dritat e uji po ashtu. Ne nuk kemi luks, por duam një jetë dinjitoze”, – shprehet një pensionist i moshuar.

Pensionistët kërkojnë që qeveria të mendojë seriozisht për këtë shtresë të shoqërisë, duke theksuar se për të përballuar jetesën minimale mujore, një pensionist duhet të marrë të paktën 35 mijë lekë të reja në muaj.
Sipas tyre, nëse do të flasim realisht, një pensionist nuk mund të jetojë me më pak se 35 mijë lekë në muaj.
“Çmimet janë rritur, gjithçka është bërë më e vështirë. Duam jo premtime, por veprime konkrete”, – shton një tjetër qytetar.
Sipas të dhënave lokale, rreth 75% e pensionistëve në Rroskovec janë me pension fshati, ndërsa pjesa tjetër përfshin ish-punonjës të ndërmarrjeve shtetërore dhe persona me pensione invaliditeti.
Pensionistët shpresojnë që zërat e tyre të dëgjohen dhe që premtimet për rritje të mos mbeten vetëm fjalë në letër, por të kthehen në veprime që u lehtësojnë jetesën.

