Për shkak të zgjedhjeve, interes i ulët për udhëtime jashtë vendit më 23 tetor

nga Xh M

Shkup, 13 tetor – Agjencitë turistike presin vështirësi gjatë kalimit të autobusëve të tyre turistikë në pikat kufitare të vendeve të Bashkimit Evropian për shkak të sistemit të ri të hyrje-daljes (EES) të BE-së, i cili hyri në fuqi më 12 tetor. Sipas EES, shtetasit e vendeve të treta do të duhet të regjistrojnë shenjat e gishtërinjve dhe fotografitë gjatë hyrjes në zonën Shengen.

Të dielën, BE filloi zbatimin gradual të sistemit të ri elektronik për kontroll kufitar, të njohur si “Entry/Exit System (EES)”, i cili parasheh marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe fotografimin e udhëtarëve nga vendet jo anëtare, para hyrjes në 29 shtete evropiane.

Disa agjenci turistike në Maqedoni që organizojnë udhëtime të shkurtra për në Turqi, Serbi, Rumani, Kroaci, Hungari, Austri dhe Itali, presin radhë dhe vështirësi gjatë kalimit të kufijve, gjegjësisht në hyrje të turistëve në një nga vendet e BE-së, por vetëm në fillim derisa sistemi të funksionojë si duhet.

Udhëtarët që kanë udhëtuar për në Turqi tashmë kanë përvojë, sepse edhe para EES, autoritetet kufitare turke fotografonin të huajt që hynin në vend, për t’i regjistruar në sistemin e tyre digjital të kontrollit.

“Për sistemin e hyrje-daljes (EES) kishte paralajmërime gjatë gjithë vitit të kaluar, me qëllim që udhëtarët të llogarisin vonesat më të gjata në pikat kufitare. Nuk besojmë se do të marrë shumë kohë, por megjithatë në fillim do të ketë vështirësi. Çdo ndryshim i rregullave të BE-së për udhëtim ka qenë i tillë”, thonë nga një agjenci e njohur turistike për “Fokus”.

Megjithatë, nuk priten menjëherë turma të mëdha, sepse interesimi për udhëtime më 23 tetor, Ditën e VMRO-së, ka qenë i ulët për shkak të zgjedhjeve lokale.

“Administrata publike, për shkak të zgjedhjeve, nuk guxon të largohet nga shteti dhe interesimi për 23 tetorin ka rënë”, shtojnë nga agjencia.

Sipas Komisionit Evropian, sistemi i ri digjital synon të identifikojë personat që tejkalojnë afatin e vizës, të luftojë migrimin ilegal dhe të parandalojë mashtrimet me identitet. Fillimi i sistemit vjen si rezultat i presionit politik në rritje në shumë vende të BE-së për ashpërsimin e politikave të migracionit.

“Çdo shtetas i vendit të tretë që kalon kufirin e jashtëm do t’i nënshtrohet kontrollit të identitetit, kontrolleve të sigurisë dhe regjistrimit në bazat e të dhënave të BE-së”, deklaroi komisioneri evropian për punët e brendshme dhe migracionin, Magnus Bruner.

Me zbatimin e këtij sistemi, shtetasit jo të BE-së do të duhet t’i regjistrojnë të dhënat e tyre biometrike në hyrjen e parë në zonën Shengen.

Sistemi do të vlejë për të gjitha vendet e BE-së, përveç Irlandës dhe Qipros, si dhe për Islandën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Lihtenshtajnin. Për udhëtime të mëvonshme, do të kërkohet vetëm verifikim biometrik i identitetit.

Pritet që EES të jetë plotësisht funksional më 10 prill 2026, kur vulat tradicionale në pasaporta do të zëvendësohen plotësisht me regjistrime elektronike.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More