Përdorimi i shërbimeve celulare shfaqi një përmirësim të dukshëm në tremujorin e dytë të vitit. Interneti po bëhet gjithnjë e më dominues në mënyrën si shqiptarët e përdorin aparatin celular, por në tremujorin e dytë të këtij viti u vërejt një rritje edhe në trafikun e thirrjeve.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), trafiku total i internetit nga rrjetet celulare u rrit me 13.2% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Konsumi mesatar i internetit për çdo përdorues arriti në 9.84 GB (gigabyte) internet në muaj, në rritje me 11.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Përveç përdorimit të internetit për qëllime informimi, pune apo zbavitje, edhe thirrjet e mesazhet e shkruara po përcillen më shumë nëpërmjet aplikacioneve, si whatsapp, duke ulur gradualisht përdorimin e shërbimeve tradicionale. Kjo po bën që kapacitetet transmetuese të internetit të jenë gjithnjë e më të rëndësishme në ofrimin e shërbimeve celulare.
Megjithatë, trafiku i thirrjeve e frenoi tendencën rënëse, karakteristike prej disa vitesh. Trafiku i thirrjeve dalëse u rrit me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, numri i mesazheve të shkruara pësoi rënie vjetore me 1.9%.
Çdo abonent e përdori mesatarisht celularin për 143 minuta në muaj, 10.5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa, numri i mesazheve të shkruara ishte 13 për përdorues në muaj, me një rënie të lehtë prej 0.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i përdoruesve të shërbimeve celulare (që në fakt matet si numër i kartave SIM ose i numrave celularë aktivë) shënoi përsëri në tremujorin e dytë të vitit, me 1.1% më pak krahasuar me një vit më parë.
Ulja e numrit të përdoruesve të telefonisë celulare duket të jetë edhe një tendencë afatgjatë. Në harkun e një dekade, numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare ka rënë me gati 30%. Kjo mund të shpjegohet me faktorë të brendshëm të tregut, por ndoshta edhe me faktorë demografikë.
Numri i operatorëve celularë është ulur nga katër në dy, ndërkohë që është gjithnjë e më pak e përhapur që një përdorues të mbajë më shumë se një numër celular. Kjo tendencë ishte mjaft e përhapur afërsisht deri para një dekade, para të ndalohej diferencimi i çmimeve për thirrjet brenda rrjetit dhe ato jashtë rrjetit.
Një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar numrin e përdoruesve në vitet e fundit është edhe marrëveshja për heqjen e tarifave roaming-ut në vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke qenë se një pjesë e mirë e vizitorëve të huaj në Shqipëri vijnë nga vendet fqinje, ata tashmë nuk e kanë më të nevojshme për të përdorur numra shqiptarë për komunikimin e tyre, gjatë kohës që ndodhen në Shqipëri.
Gjithmonë në horizontin afatgjatë, edhe tendencat demografike negative dhe tkurrja e popullsisë mund ta shpjegojnë pjesërisht rënien e numrit të përdoruesve aktivë./Monitor
