Përfaqësuesit e 15 akademive shkencore evropiane, takim vjetor në Tiranë

nga D. V.

Për herë të parë në Shqipëri u mbajt takimi vjetor i Grupit Evropian të Këshillit Ndërkombëtar të Shkencës (ISC).

Ky ishte takimi i 8-të vjetor i përfaqësuesve të akademive dhe institucioneve të tjera kërkimore shkencore evropiane, në kuadër të Grupit Evropian të Këshillit Ndërkombëtar të Shkencës (ISC) ku Akademia e Shkencave e Shqipërisë është anëtare prej vitit 2009.

Akad. Tarmo Soomere, kryetar i Grupit ISC Europe, anëtar i Akademisë së Shkencave të Estonisë, në hapje të takimit falënderoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë që mikpriti këtë organizim.

Ai tha se qëllimi kryesor i Këshillit të Shkencës është të shprehë dhe të përcjellë zërin e shkencëtarëve në çështjet që kanë të bëjnë me mirëqenien publike globale. I mbështetur nga anëtarët e tij dhe organizata të shumta partnere ndërkombëtare, Këshilli merr pjesë në formësimin e politikës ndërkombëtare të kërkimit dhe promovon ofrimin e këshillave shkencore dhe hartimin e politikave të bazuara në njohuri shkencore.

Si rrallëherë, pas samitit të akademive të rajonit e më gjerë në kuadër të Procesit të Berlinit, zhvilluar tre vjet më parë, mblidhen në këtë sallë të ASHSH, përfaqësues të mbi 15 akademive.

Në emër të Kryesisë, fjalën përshëndetëse e mbajti akad. Anila Hoda, sekretare shkencore e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Akad. Hoda vuri në dukje se ky organizim është një mundësi e vyer për shkëmbim përvoje e për forcimin e bashkëpunimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me akademitë simotra, duke ndihmuar në afrimin e komunitetit shkencor shqiptar me atë europian në kuadër të ndërkombëtarizimit dhe globalizimit.

Takimin e përshëndetën dr. Robert Dumi, drejtor i Programeve Ndërkombëtare pranë Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI); prof. dr. Ilir Kapaj, zëvendësrektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës; prof. dr. Anila Paparisto, zëvendësrektore për anën kërkimore-shkencore Universiteti i Tiranës; prof. dr. Belfjore Qose, kryetare e Akademisë së Rinjve ASHSH; prof. Suela Këlliçi, zëvendësrektore e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë; dr. Redion Luli, drejtor i shkollës së doktoraturës në Universitetin Mesdhetar, të cilët e vlerësuan veprimtarinë si një urë komunikimi mes komunitetit shkencor shqiptar me atë europian.

Në takimin e grupit evropian të ISC-së në Tiranë u paraqitën punime shkencore, lidhur me historinë e shkencës në Europë dhe lirinë shkencore, si dhe përballja me sfidat e ndryshimeve mjedisore, klimatike dhe teknologjike.

Pjesëmarrësit u përfshinë në debate shkencore, ku u trajtuan sfidat e shkencës, si një e mirë publike globale, me vëmendje në vendet me burime të pakta, roli i teknologjive digjitale, si tendencat që janë intensifikuar vitet e fundit në papajtueshmëri me shkencën, që në thelb është e hapur për ide të reja.

Dita e dytë vijoi me një takim pune vetëm me anëtarët e ISC-së nën drejtimin e akad. Tarmo Soomere.

Veprimtaria u mbyll me diskutime për dokumentin “Liria shkencore” dhe vërejtje e sugjerime nga përfaqësuesit e organizatave anëtare të ISC-së Evropiane.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More