Shkup, 17 qershor – Deputetët sot e përfunduan debatin e përgjithshëm për ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Zgjedhor, ndërsa votimi, siç kumtoi nënkryetari i Kuvendit Antonio Milloshoski, do të mbahet shtesë. Ndryshimet miratohen pesë muaj para zgjedhjeve të ardhshme lokale.
Propozimin, i cili po miratohet me procedurë të shkurtuar, e dorëzuan koordinatorët e grupeve parlamentare nga shumica qeverisëse dhe LSDM-ja opozitare, Bekim Qoku, Boban Karapejovski, Bojan Stojanoski, Gjorgjija Sajkoski, Nikola Micevski dhe Oliver Spasovski, ndërsa Fronti Evropian dhe e Majta deklaruan se nuk do ta mbështesin atë.
Amar Mecinoviq nga e Majta tha se proceset politike nuk janë të njëanshme, ndërsa Blerim Bexheti nga Fronti Evropian beson se ndryshimet janë bërë fshehurazi. Pati vërejtje edhe për mospranimin e propozimeve që tani të paraqitet propozimi për një njësi zgjedhore, ndërsa Bexheti kritikoi se nuk janë pranuar të gjitha vërejtjet e OSBE/ODIHR-it.
Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikola Micevski, tha se ndryshimet iu dhanë si Frontit Evropian ashtu edhe të Majtës përpara se të dorëzoheshin, por se nuk pati asnjë përgjigje prej tyre.
“Nëse nuk i sjellim këto ndryshime në ligj tani, ai boshllëk ligjor do të mbetet, dhe ju padyshim nuk doni që lista të pavarura të kandidojnë në këto zgjedhje. Dhe tani po bëni thirrje për përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara në zgjedhje. Po bëni thirrje që të gjithë të kandidojnë, por nuk po lejoni që ky boshllëk ligjor të mbulohet”, tha Micevski.
Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së tha se të gjitha ndryshimet janë në përputhje me vërejtjet e OSBE/ODIHR-it, ndërsa sa i përket propozimit për një njësi zgjedhore dhe një kod të ri zgjedhor, ai tha se është formuar një grup pune në Ministrinë e Drejtësisë, dhe se VMRO-DPMNE është pro një njësie zgjedhore dhe votimit të diasporës.
Siç theksohet në propozim-ndryshimet, zgjidhja ligjore synon përmirësimin e procesit zgjedhor dhe sigurimin e të drejtës së votës së barabartë, demokratike dhe të lirë, si dhe veprimin mbi rekomandimet e Misionit për vëzhgim të zgjedhjeve për zgjedhjet presidenciale më 24 prill, si dhe për zgjedhjet parlamentare më 8 maj 2024 dhe raundin e dytë të njëkohshëm të zgjedhjeve presidenciale të ODIHR-it. Përmes ndryshimeve ligjore të propozuara zbatohen disa nga rekomandimet e Raportit përfundimtar të Misionit të ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve.
Këto ndryshime dhe plotësime ligjore parashikojnë harmonizimin me dispozitat e Ligjit për Mediat lidhur me internet-portalet.
Gjithashtu me këto propozim ndryshime dhe plotësimet në Kodin Zgjedhor veproht sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u shfuqizuan dispozitat që rregullonin numrin e nënshkrimeve të nevojshme për paraqitjen e një liste kandidatësh nga një grup votuesish, dhe propozohen dy nene të reja që rregullojnë këtë problematikë.
Me këto ndryshimet dhe plotësimet lehtësohet funskionimi i organeve zgjedhore dhe parashikohet krijimi i qendrave të reja të votimit në ato qendra votimi që tejkalojnë maksimumin ligjor prej një mijë votues. Gjithashtu bëhet harmonizimi me Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore.