PL: Inceneratori i Tiranës inekzistent, organet e drejtësisë të hetojnë pa vonesë

nga D. V.

Anëtarja e këshillit bashkiak të Durrësit nga Partia e Lirisë, Anisa Ibraj deklaroi sot se, bashkia e Durrësit shpenzon rreth 2 milionë euro në vit vetëm për depozitimin dhe transportin e mbetjeve drejt inceneratorit të Tiranës.

Ajo u shpreh se ky incenerator është inekzistent, duke shtuar se “është mashtrimi më i madh financiar e mjedisor që po i bëhet qytetit”.

Ibraj u shpreh se, “për vitin 2025, shuma parashikohet të arrijë deri në 10 milionë euro, duke rënduar financat e bashkisë dhe xhepat e qytetarëve”.

“Ne paguajmë miliona euro çdo vit për një mjedis të pastër, ndërkohë që mbetjet mbytin Durrësin, plazhet, lagjet dhe mjedisin tonë. Kjo gjendje është një kërcënim për shëndetin tonë dhe një turp kombëtar përpara syve të turistëve që vizitojnë qytetin”, tha Ibraj.

Sipas saj, “megaafera e inceneratorëve që nuk ekzistojnë, simboli më i pastër i zhvatjes mafioze dhe në dritë të diellit të taksave të shqiptarëve, vijon dhe do vijojë të zhvasë taksat e qytetarëve”.

Ibraj akuzoi edhe kreun e SPAK, Altin Dumanin se nuk po e heton këtë çështje.

“Kjo ndodh sa kohë Altin Dumani e konsideron “krim intelektual të vështirë për t’u hetuar””.

Ibraj u bëri thirrje organeve të drejtësisë, “të hetojnë pa vonesë dhe të mos mbyllin sytë për këtë aferë të zezë që po shkatërron financat e bashkive dhe cilësinë e jetës së qytetarëve”.

Ajo gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të Durrësit “të ngrihen dhe të mos pranojnë më të paguajnë për një shërbim që nuk ekziston”.

“Grupi i këshilltarëve të Partisë së Lirisë në bashkinë e Durrësit do të jenë zëri i qytetarëve dhe nuk do të ndalen deri sa kjo aferë të marrë fund dhe përgjegjësit të shkojnë para drejtësisë”, tha Ibraj.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More