Presidenca: Sot u dekretua Kryeministri, do ushtrojë përgjegjësitë për ngritjen e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale

nga D. V.

Zyra për shtyp e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj ka sqaruar sot dekretimin e Kryeministrit për formimin e Qeverisë së re ku parashikohet krijimi i Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale “Diella”.

Presidenca iu përgjigj interesimit të medias në lidhje me nenin e Kushtetutës ku mbështetet Presidenti i Republikës, për nxjerrjen e dekretit që parashikon krijimin e një Ministri Artificial në përbërjen e qeverisë së re, dhe se si e justifikon përputhshmërinë e këtij dekreti me rendin kushtetues të vendit.

Presidenca vuri në dukje se “sot Presidenti i Republikës ka dekretuar vetëm Kryeministrin”, ndërsa ministrat do të dekretohen në një ditë të mëvonshme”.

Presidenca saktësoi se “baza kushtetuese e dekretit ndodhet në rreshtin hyrës të tij”.

Presidenca shtoi se dekretimi i Kryeministrit bëhet sipas propozimit të partisë fituese në zgjedhje.

Në dekret thuhet se “në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 96, pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, parti që ka shumicën e vendeve në Kuvend”.

Në lidhje me kriteret për dekretimin e ministrave, Presidenca sqaroi se “neni 2 i dekretit e ngarkon Kryeministrin me një funksion specifik, gjithashtu sipas të njëjtit propozim”.

Neni 2 i dekretit thotë se “Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale “Diella”.

“Sa i takon referencave për nenet 102 dhe 103, Kryeministri i plotëson kushtet dhe kërkesat e parashikuara në këto dy nene”, përfundoi Presidenca.

Bardhi: Dekret tërësisht antikushtetues

Edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me dekretin e Presidentit të Republikës për të ngarkuar kryeministrin me ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual “Diella”.

Bardhi shprehet në një postim në rrjetet sociale se,  ky dekret përveçse qesharak, është tërësisht antikushtetues.

“Ai bie ndesh me nenet 96, 97, 102 dhe 103 të Kushtetutës.

Ministër mund të emërohet: (i) shtetasi shqiptar; (ii) që ka mbushur 18 vjeç; dhe (iii) është i aftë mendërisht (shih nenet 45 dhe 103 të Kushtetutës). Cilat nga këto cilësi ka ministrja “Diella””, shkruan Bardhi.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More