Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij francez Emmanuel Macron takohen me gazetarët

nga V.E.

Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij francez Emmanuel Macron u takuan me gazetarët të enjten paradite, pas bisedimeve ndërmjet tyre.

Xi Jinping-u shprehu mirëpritjen për vizitën e 4-t shtetërore të presidentit Macron në Kinë, duke theksuar që me homologun e vet francez zhvilloi bisedime miqësore, të sinqerta dhe të frytshme. Të dyja palët ranë dakord që Kina dhe Franca, si vende të mëdha të pavarura dhe sovrane, duhet të mbështesin multilateralizmin, t’i përmbahen dialogut të barabartë dhe bashkëpunimit të hapur përballë situatës aktuale komplekse e të paqëndrueshme ndërkombëtare, të demonstrojnë plotësisht vlerën strategjike dhe ndikimin global të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-Francë, si edhe të promovojnë një botë shumëpolare të barabartë e të rregullt dhe një globalizim ekonomik gjithëpërfshirës.

Xi vuri në dukje më tej që ai arriti konsensus me Macron-in për t’u përqendruar në katër aspektet e mëposhtme:

Së pari, të dy vendet duhet të forcojnë besimin e ndërsjellë politik. Pavarësisht se si ndryshon mjedisi i jashtëm, Kina dhe Franca duhet të demonstrojnë gjithmonë pavarësinë dhe vizionin strategjik të fuqive të mëdha, si edhe të kuptojnë e mbështesin njëra-tjetrën në çështje që përfshijnë interesat thelbësore dhe shqetësimet kryesore të njëra-tjetrës.

Së dyti, të dy vendet duhet të zgjerojnë bashkëpunimin pragmatik, të konsolidojmë bashkëpunimin në fushat tradicionale, si aviacioni, hapësira ajrore dhe energjia bërthamore, si edhe të zgjerojnë bashkëpunimin në fushat në zhvillim, si ekonomia e gjelbër, ekonomia digjitale, biomjekësia dhe inteligjenca artificiale. Kina dhe Franca duhet të promovojnë zhvillimin e balancuar të marrëdhënieve dypalëshe ekonomike e tregtare, të zgjerojnë investimet dypalëshe dhe të sigurojnë një mjedis biznesi të drejtë, transparent, jodiskriminues e të parashikueshëm për ndërmarrjet e të dy vendeve.

Së treti, të dy vendet duhet të promovojnë shkëmbimet njerëzore. Duke u bazuar në suksesin e Vitit të Kulturës e të Turizmit vjet, ato duhet të thellojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin në kulturë, arsim, shkencë e teknologji, si edhe në nivel pushteti vendor, duke nisur edhe një raund të ri bashkëpunimi në ruajtjen e pandave gjigante.

Së katërti, Kina dhe Franca duhet të promovojnë reformimin dhe përmirësimin e qeverisjes globale, të forcojnë komunikimin e bashkëpunimin strategjik, të mbrojnë sistemin ndërkombëtar me Kombet e Bashkuara në thelb dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në të drejtën ndërkombëtare, si edhe të promovojnë zhvillimin e një sistemi të qeverisjes globale më të drejtë e të barabartë.

Xi Jinping-u vuri në dukje më tej që lidhur me krizën e Ukrainës, Kina mbështet të gjitha përpjekjet për paqen dhe shpreson që të gjitha palët të arrijnë një marrëveshje paqeje të drejtë, të qëndrueshme, detyruese e të pranueshme nëpërmjet dialogut dhe negociatave. Pala kineze do të vijojë të luajë një rol konstruktiv në zgjidhjen politike të krizës, ndërsa kundërshton me vendosmëri çdo veprim të papërgjegjshëm për t’ia hedhur fajin ose për të njollosur Kinën. Kina dhe Franca do të punojnë së bashku për të promovuar sa më parë një zgjidhje gjithëpërfshirëse, të drejtë e të qëndrueshme për çështjen palestineze. Kina do të ofrojë 100 milionë dollarë ndihmë për Palestinën për të zbutur krizën humanitare në Gazë dhe për të mbështetur rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Gazës.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More