Shkup, 25 tetor – Numri i fëmijëve me probleme dentare është i madh. Si probleme më kryesore që evidentohen lidhen me higjienën e gojës, kariesin dhe problemet e mishrave të dhëmbëve thotë për TVM2 mjeku Seat Abazi.
Sipas tij problemet që shqetësojnë më tepër fëmijët janë problemet e prishjes së dhëmbëve dhe erës së keqe të gojës, andaj është e nevojshme bashkëpunimi më i madh prind-fëmijë për larjen e dhëmbëve në mënyrë të duhur të paktën dy herë në ditë, që të parandalohen problemet me dhëmbët.
“Është një numër në nivel të lartë i fëmijëve që kanë probleme dentare, si pasojë e mos higjienës së mirë si pasojë e ushqimeve jo të duhura, mirëpo mund ta ceki pak më shumë mosbashkëpunimi, të them mos kujdesi i prindërve, mosbashkëpunimi i prindërve në mënyrë të rregullt për mbajtjen e higjienës së gojës me fëmijën. Prindi duhet të merret shumë seriozisht për higjienën e gojës, për larjen e dhëmbëve minimum dy herë në ditë, mos ta them pas çdo ushqimi, vizitat e shpeshta tek ordinancat stomatologjike që ti parandalojnë sëmundjet që vijnë në vijim kariesi apo infeksionet e dhëmbëve.”, u shpreh për TVM2 mjeku Seat Abazi.
Mjeku Abazi poashtu thekson se është e nevojshme bashkëpunimi mes Arsimit dhe Shëndetsisë për orë edukative shtesë apo program dentar për mirëmbajtjen e shëndetit oral.
“Edukimi kohëve të fundit është rritur tek prindërit, e shoh që është fluksi i madh tek ne me pacientë të cilët janë veçmë të vetëdijesuar që duhet të vendosin briketa për pjesën e ortodoncisë, për rregullimin e dhëmbëve, mirëpo mund ta ceki se nuk është i mjaftueshëm edukimi i fëmijëve, të ketë bashkëpunim arsimi me shëndetësinë, të ketë orë shtesë apo ligjërata orë edukative për sesi të mirëmbajnë higjienën e gojës, si ta bëjnë larjen e dhëmbëve në mënyrë të duhur se ka shumë pacientë të cilët prindërit e thonë që fëmija i lan dhëmbët por nuk e bën në mënyrën e duhur.”, tha Abazi.
Dentisti Seat Abazi thekson se si me të rriturit, takimet e rregullta dhe një rutinë e mirë dentare janë shumë të dobishme në parandalimin e trajtimeve më të rënda dentare. Poashtu kujdes të shtuar duhet të ketë edhe në shmangien e ushqimeve me karbohidrate, ushqimeve me sheqer, pijeve të gazuara dhe energjike siç janë aktive kohëve të fundit tek fëmijët. Sipas statistikave patologjitë orale janë ndër sëmundjet jo të transmetueshme por më të përhapura në të gjithë botën duke prekur rreth 3.5 miliardë njerëz.
