Prej disa ditësh, në ishullin e qetë të Shurdhahut në liqenin e Vaut të Dejës ku ruhen rrënojat e qytetit mesjetar të Sardës, arkeologët po kryejnë kërkime intensive.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ndau pamje nga punimet, teksa njofton se, projekti kërkimor shqiptaro-francez, nën drejtimin e arkeologeve Etleva Nallbani dhe Elvana Metalla, ka si qëllim dokumentimin e strukturave ekleziale që shenjojnë urbanizimin e qytetit mesjetar, duke eksploruar një sektor të ri – qytetin e sipërm. Gjatë punimeve ka dalë në dritë një rrethim i ri, i cili dëshmon se Sarda ka pasur një sistem mbrojtës me tri unaza.
Projekti, i cili prej vitesh studion banorët mesjetarë të zonës, praktikat funerare, paleodemografinë, prodhimet dhe shkëmbimet ndërajonale, po realizohet në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër. Në kuadër të kërkimeve u krye edhe pastrimi i territorit nga vegjetacioni i dendur.
Kërkimet arkeologjike zhvillohen në kuadër të projektit: “Lugina e Drinit në Mesjetë”, i cili realizohet nga École française de Rome, Centre National de Recherche Scientifique, Ministère de l’Europe et des affaires étrangères, INRAP, Instituti i Arkeologjisë, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës dhe DRTK Shkodër.
Vijon projekti kërkimor shqiptaro-francez në ishullin e Shurdhahut















