Projektligji i ri “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, përveç ngritjes së Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, ka në fokus edhe diferencimin dhe riciklimin e tyre.
Ky projektligj i miratuar nga qeveria pritet të nisë shqyrtimin edhe në Kuvend. Ai synon gjithashtu të marrë përsipër dhe të përafrojë direktivat e BE-së 100% me legjislacionin shqiptar.
Projektligji ka si qëllim të ngrejë një sistem të menaxhimit të integruar të mbetjeve që garanton mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit të njeriut dhe që mundëson tranzicionin në modelin e ekonomisë qarkulluese.
Sipas projektligjit të ri pastrimi i territorit nuk do të ketë si prioritet incenerimin, por riciklimin e tyre, me qëllim përfitimin edhe prej mbetjeve, për të arritur ekonominë qarkulluese.
Ky projektligj synon gjithashtu të parandalojë ose pakësojë mbetjet, të parandalojë ose pakësojë ndikimet negative nga krijimi dhe menaxhimi i mbetjeve, si dhe të zvogëlojë ndikimin e përgjithshëm të përdorimit të burimeve dhe përmirësimin e eficiencës së përdorimit të burimeve.
“Bashkitë janë përgjegjëse për organizimin dhe funksionimin e sistemit të menaxhimit të integruar të mbetjeve në territorin nën juridiksionin e tyre. Bashkitë kanë këto kompetenca: grumbullimin e mbetjeve bashkiake dhe rrymave të tjera të mbetjeve të përcaktuara në këtë ligj; grumbullimin e diferencuar të mbetjeve sipas afateve dhe rrymave të caktuara të mbetjeve, në përputhje me parashikimet e akteve nënligjore zbatuese; kryerjen e të gjitha shërbimeve mbështetëse për realizimin e operacioneve funksionale në përputhje me planin e zonave të menaxhimit të mbetjeve, të grumbullimit, të grumbullimit të diferencuar dhe të menaxhimit të mbetjeve të tilla si vendosjen e kontejnerëve të përshtatshëm të grumbullimit, përcaktimin e metodës së grumbullimit, organizimin e transportit të mbetjeve, si dhe çdo veprimtari tjetër mbështetëse të nevojshme”, thuhet në projektligj.
Ndërsa Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve (AKEM) ka përgjegjësi për infrastrukturën fundore të trajtimit të mbetjeve, që ka në administrim.
“Për përmbushjen e qëllimit dhe objektivave të këtij ligji, AKEM ushtron këto kompetenca kryesore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve, bashkërendon me institucionet e administratës publike, në nivel qendror e vendor, me partnerët ndërkombëtarë, investitorët dhe palët e interesuara për zbatimin e menaxhimit të integruar të mbetjeve, për planifikimin territorial të infrastrukturës së mbetjeve dhe funksionimin e tyre në përputhje me parashikimet e këtij ligji”, thuhet në pr.ligj.
Në përputhje me objektivin e tranzicionit në ekonominë qarkulluese dhe të parimit të hierarkisë së mbetjeve, politikat shtetërore në lidhje me depozitimin e mbetjeve në landfill synojnë që sasia e mbetjeve të depozituara dhe të trajtuara në landfill të zvogëlohet në mënyrë progresive, veçanërisht mbetjet bashkiake dhe mbetjet e përshtatshme për riciklim apo rikuperim.
“Pranohen në landfill mbetjet që i janë nënshtruar trajtimit, me përjashtim të mbetjeve inerte për të cilat trajtimi është teknikisht i pamundur, dhe mbetjeve të tjera kur trajtimi i tyre nuk jep kontribut në realizimin e qëllimit të këtij ligji, duke zvogëluar sasinë e mbetjeve ose të rrezikut ndaj shëndetit të njeriut dhe të mjedisit. Në landfillet e mbetjeve të rrezikshme pranohen vetëm mbetje që klasifikohen si të rrezikshme në përputhje me përkufizimin e këtij ligji dhe që përmbushin kriteret dhe procedurat e pranimit të përcaktuara”, theksohet në pr.ligj.
Sa i përket inceneratorëve, në projektligjin thuhet se “nuk pranohen për incenerim, mbetjet që janë grumbulluar në mënyrë të diferencuar për qëllim të përgatitjes për ripërdorim dhe riciklim, me përjashtim të mbetjeve që krijohen nga operacionet e mëtejshme të trajtimit të mbetjeve të mbledhura në mënyrë të diferencuar për të cilat operacioni i incenerimit përbën rezultatin më të mirë mjedisor”.
Ndërsa mënyrën se si do të funksionojnë këto impiante, procedurat e dorëzimit të mbetjeve, kushtet e operimit, monitorimit dhe të dhënies së lejeve mjedisore do të caktohen nga Këshilli i Ministrave.
Me këtë nismë të re ligjore, ashpërsohen edhe gjobat ndaj shkelësve të ligjit.
“Çdo person që importon mbetje të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë dënohet me gjobë në vlerën nga 1 950 000 lekë deri në 2 600 000 lekë. Ndërsa çdo person, që transiton mbetje të rrezikshme përmes territorit të Republikës së Shqipërisë dënohet me gjobë në vlerën nga 1 950 000 deri në 2 600 000 (dy milionë e gjashtëqind mijë) lekë”, theksohet në projektligj.
Po ashtu çdo person që kryen veprimtari për trajtimin e mbetjeve pa leje mjedisi, dënohet me gjobë në vlerën nga 1 300 000 lekë deri në 1 950 000 lekë. Ndërkohë që çdo person, që kryen veprimtari për trajtimin e mbetjeve në kundërshtim me lejen e mjedisit, dënohet me gjobë në vlerën nga 1 300 000 lekë deri në 1 950 000 lekë.