Promovohet Plani aksionar për barazinë gjinore për vitin 2024-2028

nga D. V.

Shkup, 20 maj – Në organizim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës sot u mbajt promovimi i vetëvlerësimit gjinor në mbrojtje dhe Planit aksionar gjinor 2024-2028 ku fjalime mbajtën presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski si dhe ambasadorja e Mbretërisë së Suedisë, Ami Larson Jaim dhe zëvendësdrejtorja e Qendrës së Gjenevës për menaxhim të sektorit të sigurisë, Beatris Godefra.

Si komandante supreme e Forcave të armatosura, Siljanovska-Davkova tha se ndaj çështjeve gjinore në Armatë dhe mbrojtje nuk duhet të sillet thjesht si vëzhguese, por si aktore. Sipas presidentes, për shumë gra në mbrojtje lufta e vërtetë nuk fillon në misionet në të cilat ato marrin pjesë, por në radhët e tyre si një luftë për kushte të barabarta pune dhe status të barabartë.

“Më vjen keq që për shumë gra në mbrojtje, pavarësisht nëse janë pjesë e ministrisë apo strukturave ushtarake, lufta e vërtetë nuk fillon në misionet në të cilat ato marrin pjesë dhe bëjnë sakrifica të barabarta, por në radhët e tyre, si luftë për kushte të barabarta të punës dhe status të barabartë, si luftë për harmonizim të jetës profesionale me detyrimet familjare dhe për fat të keq, ndonjëherë edhe luftë për vlerësim të barabartë të punës dhe progresit”, theksoi Siljanovska-Davkova.

Promovimi i barazisë gjinore, shton ajo, nuk nënkupton dhënie të përparësisë, por heqjen e pengesave dhe sigurimin e trajtimit të barabartë për të gjithë.

Ministri i Mbrojtjes, Misajllovski tha se 52.3 për qind e posteve drejtuese në ministri janë gra, duke theksuar se përqindja e përfaqësimit të grave duhet të vazhdojë të rritet. Prioritet i ministrisë, tha ai, është përfaqësimi më i madh i grave, jo vetëm në numër por edhe në cilësi. Ai e quajti barazinë gjinore “një vlerë qytetëruese që sublimon të gjithë potencialin dhe kapacitetin dhe krijon sinergji që do të jetë motori i zhvillimit të përbashkët”.

Me forcimin e mekanizmave të barazisë gjinore, thotë ai, ministria dhe Armata po forcojnë strukturën e tyre të brendshme.

Ambasadorja e Mbretërisë së Suedisë, Ami Larson Jaim dhe zëvendësdrejtorja e Qendrës së Gjenevës për menaxhim me Sektorin e sigurisë, Beatris Godefra, në fjalimet e tyre gjithashtu theksuan rëndësinë e barazisë gjinore.

Vetëvlerësimi gjinor dhe Plani aksionar për barazi gjinore 2024-2028 i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës janë përpunuar në bashkëpunim me Qendrën e Gjenevës për menaxhimin e Sektorit të sigurisë me mbështetjen e Zvicrës, Suedisë, Holandës dhe Bashkimit Evropian.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More