Në vitin 2023, një tren që transportonte kimikate doli nga shinat dhe shpërtheu në flakë në një qytet në Ohio. Banorët e zonës u ekspozuan ndaj substancave kancerogjene si vinil kloridi dhe dioksina – kimikate që mund të shkaktojnë kancer, por zakonisht pas dekadash. Ndërsa për njerëzit këto efekte do të duhen vite për t’u shfaqur, ka një mënyrë më të shpejtë për të zbuluar rrezikun: duke vëzhguar qentë e tyre. Kjo ide, që mund të duket e pazakontë në fillim, po fiton mbështetje në radhët e shkencëtarëve. Jo vetëm sepse qentë dhe pronarët e tyre ndajnë të njëjtat rreziqe mjedisore, por sepse kanceri tek qentë zhvillohet më shpejt dhe në mënyra të ngjashme me atë tek njerëzit. Deri më sot, shumë prej terapive për kancerin janë testuar fillimisht tek qentë.
Për shembull, teknikat për trajtimin e osteosarkomës (kancer i kockave) pa amputuar gjymtyrën u zhvilluan pikërisht te qentë. Por tani kjo marrëdhënie është më e thellë: studiuesit zbulojnë se kanceret tek qentë dhe njerëzit jo vetëm që ngjasojnë – por shpesh prekin të njëjtat gjene dhe ndodhin në të njëjtat zona të ADN-së.
Një ekip në Shkollën Mjekësore të Universitetit të Massachusetts analizoi mijëra tumore njerëzore dhe qindra tumore qensh. Ata zbuluan se shumë nga mutacionet që çojnë në kancer ishin të ngjashme në të dyja speciet. Edhe një kompani bioteknologjike, FidoCure, po përdor qentë për të testuar trajtime që synojnë mutacione specifike. Në një studim me mbi 1,100 qentë me kancer, ata zbuluan se trajtimi me ilaçe njerëzore të përshtatura për mutacionin përkatës rriti ndjeshëm mbijetesën tek kafshët. Qentë zhvillojnë kancer më shpejt se njerëzit, gjë që u lejon shkencëtarëve të testojnë vaksina apo trajtime brenda pak vitesh. Një vaksinë eksperimentale që synon të parandalojë kancerin përmes sistemit imunitar është testuar në 804 qen, dhe rezultatet priten në fund të vitit 2025 – shumë më shpejt se sa do të ishte e mundur me njerëzit.