Shkup, 5 gusht – Në mbledhjen e Qeverisë, miratuam vendimin për themelimin e shkollës fillore “Azem Morana” në fshatin Moranë, Komuna e Studeniçanit, bënë të ditur zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, shkruan Zhurnal.mk.
Sipas tij, ky vendim është nderim për sakrificën. Është ngjallje e kujtesës për një figurë të ndritur kombëtare, që dha gjithçka për arsimin shqip dhe idealin e lirisë.
“Azem Morana, mësuesi, patrioti, luftëtari i fjalës dhe dijes, që nuk u përkul para padrejtësisë, sot rikthehet mes nesh përmes një institucioni që do të edukojë breza të tërë, në emrin e tij.
Shkolla “Azem Morana” do të jetë një tempull kujtese, një burim frymëzimi, një fener që do të ndriçojë rrugën e brezave të rinj drejt dijes dhe ndërgjegjes kombëtare.
Ky vendim është borxhi ynë i vonuar ndaj një njeriu që e deshi arsimin aq sa jetën, dhe që për këtë dashuri, e dha jetën.
Përjetësisht mirënjohës dhe falënderues!”, tha Mexhiti