Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim, marrëveshja mes dy qeverive përfshin bashkëpunimin në kujdesin shëndetësor, energji, mbrojtjen e mjedisit, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe rritjen inteligjente.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është të krijojë një kuadër të qëndrueshëm dhe të strukturuar për bashkëpunim afatgjatë mes dy vendeve, duke hapur rrugën për projekte të përbashkëta, shkëmbim ekspertize dhe investime të reja në sektorë strategjikë.
Në të njëjtën mbledhje, Këshilli i Ministrave miratoi edhe projektligjin e ri për koncesionet dhe partneritetet publike-private (PPP), që përcakton mënyrën se si shteti dhe sektori privat do të bashkëpunojnë për të zhvilluar projekte me interes publik, si rrugë, spitale, shkolla, impiante energjie apo shërbime komunale.
Qeveria thekson se ky ligj i ri do të garantojë më shumë transparencë, konkurrencë të ndershme dhe ndarje të drejtë të risqeve financiare mes shtetit dhe operatorëve privatë. Ai ruan pronësinë publike mbi asetet dhe synon që çdo partneritet të sjellë shërbime më cilësore dhe më të përballueshme për qytetarët.
Gjithashtu, u miratua edhe vendimi për shpalljen e disa zonave me përparësi për zhvillimin ekonomik në bashkitë Belsh, Përmet, Skrapar dhe Elbasan, me qëllim nxitjen e investimeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës në këto zona.
Informacion për mediat
Agjencia për Media dhe Informim ju bën me dije disa nga vendimet dhe projektligjet e Këshillit të Ministrave, në mbledhjen e sotme të qeverisë.
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për shpalljen e disa zonave me përparësi për zhvillimin e ekonomisë në disa bashki si Belsh, Përmet, Skrapar, Elbasan.
Gjithashtu, qeveria miratoi në parim marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë për bashkëpunim strategjik në fushat:
• Kujdesi shëndetësor
• Energjia
• Mjedisi
• Industria e sigurisë dhe mbrojtjes
• Menaxhimi i migracionit
• Arsimi
• Inovacioni
• Diaspora
• Transformimi ekonomik
• Rritja inteligjente
Vendimi synon të formalizojë bashkëpunimin strategjik dhe të thellojë marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Italisë, duke krijuar një kuadër të strukturuar për projekte dhe iniciativa të përbashkëta në fushat e sipërpërmendura.
Projektligji “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” përcakton kuadrin ligjor për mënyrën se si shteti dhe sektori privat bashkëpunojnë për të realizuar projekte me interes publik, nëpërmjet koncesioneve ose partneriteteve publike-private (PPP).
Objekti:
• Kompetencat e autoriteteve publike për të lidhur kontrata PPP;
• Procedurat e dhënies, nënshkrimit, ndryshimit ose ndërprerjes së kontratave;
• Ndarjen e risqeve financiare dhe fiskale ndërmjet palëve;
• Mënyrën e mbështetjes financiare dhe rregullimet që lidhen me politikat e koncesioneve.
Ligji përcakton termat:
• Koncesion – Marrëveshje për ndërtim ose ofrim shërbimesh publike, ku partneri privat shpërblehet me të drejtën e shfrytëzimit të veprës ose me pagesë.
• Partneritet publik privat (PPP): Bashkëpunim i qëndrueshëm ndërmjet shtetit dhe operatorit privat për ofrimin e shërbimeve ose infrastrukturës publike.
• Risk operacional: Rreziku që i transferohet koncesionarit lidhur me kërkesën, ofertën apo disponueshmërinë e objektit.
• SPV (Subjekti për Qëllime të Veçanta): Shoqëri private e krijuar posaçërisht për zbatimin e kontratës së koncesionit/PPP.
Fusha e zbatimit
PPP-të mund të aplikohen në sektorë si transporti, energjia, uji, menaxhimi i mbetjeve, telekomunikacioni, arsimi, kultura, shëndetësia.
Ky nen përcakton bazat mbi të cilat zhvillohet çdo procedurë për dhënien e koncesioneve dhe partneriteteve publike-private (PPP).
1. Parimet e përgjithshme – Procedurat zbatohen duke respektuar transparencën, trajtimin e barabartë, mosdiskriminimin, proporcionalitetin, efikasitetin, reciprocitetin dhe sigurinë ligjore.
2. Paanshmëria e procedurës – Përgatitja e procedurës konkurruese, përfshirë përllogaritjen e vlerës, nuk duhet të ketë qëllim favorizimi apo përjashtimi të padrejtë të operatorëve ekonomikë apo të shërbimeve të caktuara.
3. Autonomia e autoriteteve publike – Autoritetet qendrore dhe vendore kanë të drejtë të vendosin mënyrën më të përshtatshme për të menaxhuar punimet dhe shërbimet publike, duke garantuar cilësi, siguri, përballueshmëri, trajtim të barabartë dhe akses universal. Ato mund të kryejnë detyrat me burimet e veta, në bashkëpunim me të tjera autoritete, ose t’i delegojnë ato operatorëve ekonomikë.
4. Ruajtja e sistemit të pronësisë publike – Ligji nuk kërkon privatizimin e ndërmarrjeve publike dhe nuk ndikon në sistemin e pronësisë në Republikën e Shqipërisë.
