Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me ministrin e Financave Petrit Malaj dhe ekspertë të financave, u shpreh se zbatimi i planit “Paqja Fiskale” do të nisë vitin e ardhshëm.
Rama u shpreh gjithashtu se ky plan do të jetë një mesazh shumë pozitiv për sipërmarrjen, ndërsa shtoi se kjo paketë mund të rrisë të ardhurat për arkën e buxhetit të shtetit, ndërsa synim është ulja e informalitetit në ekonomi.
“Është shumë e rëndësishme që “Paqja Fiskale” të hartohet dhe të përmbyllet me sukses në aspektin konceptual deri në fund të këtij viti në mënyrë që vitin e ardhshëm të fillojmë me zbatimin e saj.
Unë kam shumë besim që nëse “Paqja Fiskale” konceptohet dhe planifikohet ashtu siç duhet, do të jetë një mesazh shumë pozitiv për sipërmarrjen, por besoj do të mund të rrisë edhe të ardhurat për arkën e buxhetit të shtetit, ndërkohë që pika kyçe mbetet rritja e performancës në tërësi dhe ulja e informalitetit”, tha Rama.
