Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se në Theth nuk do ndërtohen resorte apo hotele të mëdha.
Gjatë komunikimit në rubrikën “Sy m’sy”, Kryeministri iu përgjigj komentit të një qytetari që shprehet se “ndërtimet në Theth u shembën për t’i hapur rrugë planit të radhës së ndërtimeve për oligarkët”.
Rama tha se “këto janë përrallat me të cilat u kanë mbushur kokën, ose inati dhe mllefi ndaj qeverisë, ose zhytja e kokës në kanalet e infektuara të ujërave të zeza mediatike”.
“Nuk ndodh kjo kështu! Prona është e pacenueshme. Nëse prona është e dikujt, cilido që do të investojë në atë pronë duhet të merret vesh me dikë. Nuk ka shans të ndodhë ndryshe, ndërkohë që në Theth e kundërta është e vërtetë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi faktin se në Theth nuk do të ketë zhvillime pas pastrimit të madh, përveçse në raste specifike të lidhura me ata që jetojnë aty.
“Nuk është Thethi vendi për resorte turistike, vendi për hotele të mëdha, për histori të tilla që janë pjesë e fantazisë së njerëzve me kënd të ngushtë shikimi”, tha Rama.
