Mbarë bota kremton sot ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, misionares trupvogël me zemër të madhe, që u bë simbol i bamirësisë, vetëmohimit dhe shërbimit ndaj të pamundurve.
Kryeministri Edi Rama ndau në këtë ditë të shenjtërimit të saj foto të Shën Terezës.
Rama shprehet se Shën Tereza ishte gruaja e shenjtë me trup të vogël e me shpirtin sa vetë bota.
Nëntë vite më parë, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, papa Françesku shpalli shenjt Nënë Terezën, humanisten shqiptare që ia kushtoi jetën më të varfërve, të sëmurëve dhe të braktisurve.
Në ligjin “Për festat zyrtare” në Shqipëri u zëvendësua festa zyrtare e datës 19 shtator që është Dita e Lumturimit të Nënë Terezës, me datën 5 shtator, që është Dita e Shenjtërimit të saj.
Ndërsa në kalendarin e Kombeve të Bashkuara, 5 shtatori përkon me Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë, e shpallur si e tillë prej Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në nder të Nënë Terezës.
