Shkolla 9-vjeçare “Kajo Karafili” në Gështenjas të Pogradecit do të hapë dyert në shtator me kushte bashkëkohore për 200 nxënës dhe mësues falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Pogradecit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga ambientet e rikonstruktuara të kësaj shkolle, e cila do të sigurojë standarde më të mira në mësimdhënie.
“Po investojmë për transformimin e shkollave nga veriu në jug, me të njëjtin standard, për të garantuar kushte dinjitoze për mësim dhe zhvillim për nxënësit dhe stafet mësimore”, u shpreh Rama.
Investimi në këtë shkollë synon përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për zhvillimin e procesit mësimor.
Punimet përfshijnë ndërtimin e një palestre moderne sportive dhe krijimin e hapësirave të reja për zhvillimin e aktiviteteve edukative dhe komunitare.
Po ashtu, objekti shkollor do të pajiset me sistem ngrohje me kaldajë për të garantuar komoditet gjatë stinëve të ftohta.
Një ndër elementët kryesorë të ndërhyrjes është edhe sistemi i ri elektrik i cili po zëvendëson tërësisht instalimet ekzistuese me teknologji më të avancuar dhe të sigurt.
Ambientet e brendshme dhe të jashtme të shkollës po rikonstruktohen në tërësi për të përmbushur standardet e nevojshme infrastrukturore.
Në përfundim të projektit shkolla do të disponojë edhe një bazë të re materiale, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e procesit mësimor dhe mbështetës për nxënësit.
Ky investim është pjesë e angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror për përmirësimin e kushteve në institucionet arsimore të zonave rurale dhe sigurimin e një arsimi cilësor për të gjithë.












