Raportimi i shkeljeve, hidhet për konsultim publik projektligji “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”

nga D. V.

Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin hodhi sot për konsultim publik draftprojektligjin “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”.

Në relacionin që shoqëron projektligjin thuhet se qëllimi kryesor është krijimi i një mjedisi më të sigurt dhe transparent, ku sinjalizuesit dhe personat e lidhur me ta të mbrohen nga çdo formë hakmarrjeje, duke kontribuar në rritjen e integritetit institucional dhe në luftën kundër pandëshkueshmërisë.

Hartimi i një projektligji të ri për sinjalizimin përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes së individëve që raportojnë shkelje në vendin e punës, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

Ky projektligj synon të përmirësojë dhe të përafrojë më tej kuadrin ligjor shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, në përputhje me kërkesat e Direktivës të Parlamentit dhe Këshillit Evropian mbi mbrojtjen e personave që raportojnë shkelje të së drejtës së BE-së.

Ai ofron një qasje më të plotë dhe moderne, duke adresuar mangësitë e ligjit ekzistues, të evidentuara si nga analiza e Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit (DPAK), ashtu edhe nga vlerësimet krahasuese të organizatave rajonale profesionale në fushën e parandalimit të korrupsionit, si Iniciativa Rajonale Antikorrupsion (RAI).

Projektligji parashikon tre alternativa për raportimin e shkeljeve: sinjalizim të brendshëm brenda institucionit, sinjalizim të jashtëm pranë autoritetit kompetent (ILDKPKI) ose sinjalizim publik. Në të gjitha rastet garantohet konfidencialiteti dhe, kur kërkohet, anonimiteti i sinjalizuesit.

Një nga risitë kryesore është njohja e sinjalizuesve si kategori vulnerabël, duke u ofruar ndihmë juridike falas dhe mbështetje të plotë ligjore në rast se përballen me pasoja negative në vendin e punës.

Projektligji i njeh ILDKPKI-së një rol të posaçëm, duke i dhënë kompetencë ekskluzive për mbrojtjen e sinjalizuesve nga veprimet hakmarrëse dhe për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit.

Një tjetër risi është detyrimi që çdo institucion publik dhe çdo subjekt privat me mbi 50 punonjës të krijojë një njësi të posaçme për trajtimin e sinjalizimeve, duke zgjeruar ndjeshëm mundësitë për raportim dhe mbrojtje efektive në të gjithë sektorin.

Kjo nismë mbështetet në përvojën e zbatimit të ligjit “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” dhe është e parashikuar në objektivat e Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024 – 2030 dhe Planit të saj të Veprimit 2024 – 2026.

Ky dokument strategjik e konsideron sinjalizimin si një instrument thelbësor për mbrojtjen e punonjësve me integritet, forcimin e kontrollit mbi veprimtarinë publike dhe private, si dhe rritjen e transparencës institucionale.

Në të njëjtën linjë, Udhërrëfyesi për Shtetin e së Drejtës, pjesë e dokumentit të politikës shtetërore dhe piketa hapëse e grupkapitullit të parë “Themeloret”, miratuar me vendimine Këshillit të Ministrave, si edhe Plani Kombëtar i Integrimit Evropian 2025 – 2027, parashikojnë ndërmarrjen dhe miratimin e kësaj iniciative ligjore.

Objektivi kryesor i projektligjit është krijimi i një kuadri ligjor të qartë dhe efektiv për sinjalizimin, raportimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, si dhe vendosja e detyrimit për institucionet publike dhe subjektet private që të respektojnë standarde të njëjta në këtë proces.

Në këtë mënyrë, projektligji jo vetëm që forcon mbrojtjen e individëve që raportojnë shkelje, por gjithashtu përafron Shqipërinë me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe me legjislacionin e Bashkimit Evropian, duke kontribuar drejtpërdrejt në procesin e integrimit evropian dhe në forcimin e sundimit të ligjit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More