Shkup, 6 nëntor – Gjykimi në rastin “Onkologjia 2”, në të cilën akuzohen ish drejtori Nino Vasev dhe drejtori ekonomik Nehad Nuhi, vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve në Gjykatën Themelore Penale. Gjatë seancës u dëgjuan tre dëshmitarë. Mjeku Nenad Mitrevski dëshmoi për një pacient që ka marrë kimioterapi në kombinim me terapi biologjike.
Ai tha se doza standarde e ilaçit për atë indikacion është 400mg çdo tre javë. Kur ju paraqit një dokument me një dozë të dhënë prej 1600mg, ai u përgjigje se kjo dozë është shumë e lartë për atë indikacion, dhe se pacienti nuk duhej ta kishte marrë atë sasi. Goce Kuzev dëshmoi si djali i një pacienti që është trajtuar në Onkologji.
Ai deklaroi se terapia për babanë e tij nuk ka qenë kurrë në dispozicion në kohën e duhur.
“Meqenëse nuk e kishte marrë kurrë në kohë terapinë, ishim të shqetësuar dhe ju lutëm njerëzve, miqtë tanë e telefonuan drejtorin e atëhershëm dhe pastaj e mori terapinë. Mendoj se emri i infermieres ishte Caci dhe na e dha në katin e dytë ku ishte zyra e tij. Ndonjëherë e jepte nga farmacia klinike, ndonjëherë e telefononte infermierin dhe ai ia jepte asaj nga zyra e tij, kështu që zbritëm poshtë për të aplikuar”, tha Goce Kuzev, dëshmitar.
Biljana Grozdanova, anëtare e Bordit të Drejtorëve të Klinikës, në dëshminë e saj foli për metodën e vendimmarrjes. Sipas saj vendimet e prokurimit ishin të kushtëzuara nga pëlqimi paraprak nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi Shëndetësor.
“Bordi i Drejtorëve, kërkonte që një ekonomist të ftohej në seanca, një avokat ishte i pranishëm në çdo seancë të Bordit të Drejtorëve dhe drejtorët ftoheshin gjithashtu, varësisht nga rendi i ditës, për të dhënë një shpjegim”, u shpreh Biljana Grozdanova, dëshmitare.
Në qershor të këtij viti, Gjykata Penale miratoi aktakuzën kundër ish drejtorëve të Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev dhe Nehad Nuhi, për shpërdorim, mashtrim dhe përvetësim në shërbim nga viti 2018 deri në vitin 2022. Sipas aktakuzës, ata kanë siguruar ilaçe në mënyrë të paligjshme, i kanë fshehur ato përmes tenderëve fiktivë dhe kanë përvetësuar një pjesë të terapisë, duke dëmtuar kështu buxhetin me gati 36 milionë euro. /Alsat./
