Reagim i BDI-së ndaj deklaratës së Kryeministrit Mickoski për UÇK-në

nga Redaksia

Shkup, 11 gusht – Deklarata e Kryeministrit për Luftën e UÇK-së është fyerje e drejtpërdrejtë për shqiptarët dhe për historinë e drejtë të demokracisë në vend. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ka qenë e drejtë, e shenjtë dhe vendimtare për demokratizimin e shtetit, për kthimin e paqes, për trajtimin e barabartë të të gjitha komuniteteve dhe për arritjen e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, marrëveshje që vetë Kryeministri sot e sulmon, si me platformën e tij politike, ashtu edhe me praktikat e përditshme të qeverisjes.

UÇK-ja ishte ushtri e organizuar, me uniformë dhe simbole të qarta, që respektonte konventat ndërkombëtare dhe kontribuoi në instalimin e paqes në vend. Kjo është dallimi themelor nga ata që Kryeministri sot i quan “heronj”, ndërsa dje u dënuan për krime lufte, individë që në mënyrë tinëzare dhe qyqare vranë të pafajshëm.

Kryeministri mund të poshtërojë publikisht vetëm vazalët e tij politikë mbi këtë temë, por jo shqiptarët dhe jo të vërtetën historike. Asnjë manipulim politik nuk mund të fshijë rolin e UÇK-së në mbrojtjen e lirisë, në sjelljen e barazisë, demokratizimin e vendit dhe në garantimin e paqes që gëzojmë sot.

BDI nuk do të lejojë që historia të shtrembërohet nga ata që duan ta përdorin për përfitime të përkohshme elektorale. UÇK-ja nuk është temë e së kaluarës, por themel i barazisë dhe paqes që duhet të mbrohet çdo ditë.

Bashkimi Demokratik për Integrim

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More