Teatri “Migjeni” i Shkodrës po restaurohet.
Në vijimësi të punimeve, të financuara nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, aktualisht po realizohet instalimi i sistemeve moderne të kondicionimit.
“Shumë shpejt do të rishikojmë impiantet elektroteknike të skenës e rrjetit, ndriçimit dhe sigurisë, si dhe mobilimin e teatrit me ndenjëse të reja”, bëri të ditur MEKI, duke shtuar se po krijohen kushte optimale për frekuentimin e teatrit, rritjen e komoditetit të spektatorëve dhe artistëve si edhe po përgatitet terreni për zhvillimin e më shumë ngjarjeve kulturore, me një rritje të pritshme prej 30% çdo vit.
Restaurimi dhe modernizimi i Teatrit “Migjeni” është një hap i rëndësishëm jo vetëm për trashëgiminë kulturore, por edhe për zhvillimin turistik, ekonomik dhe edukativ të Shkodrës, një qytet i konsideruar si “djep kulture”.
Teatri “Migjeni” gjendet në qendër të qytetit. Ai ka një histori 76-vjeçare dhe numëron me qindra premiera të vëna në skenën e tij, duke e bërë Shkodrën një qytet në pararojë të zhvillimeve kulturore kombëtare.