Romantizmi bashkon trion për tinguj lirikë në “KamerFest”

nga D. V.
Chopin e Schubert kanë qenë edhe zgjedhja e pianistes italiane Eloisa Cascio për koncertin në Prishtinë, në kuadër të festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale “KamerFest”. Me violinistin Rron Bakalli e violonçelistin Arian Zherka ka formuar trion për të sjellë edhe frymën muzikore të Mozart në mbrëmjen me muzikë romantike në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare. Improvizuese kanë qenë kushtet për një pianiste e cila megjithëse e re në karrierë, është dëshmuar në gjithë kontinentin dhe jashtë tij

Chopin e Schubert njihen për veprat e tyre në “impromptu” si formë e kompozimit muzikor. Bëhet fjalë për vepra me karakter improvizues por emocionale e lirike dhe të kompozuara me kujdes. Ata kanë qenë edhe zgjedhja e pianistes italiane Eloisa Cascio për koncertin në Prishtinë, në kuadër të festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale “KamerFest”. Me violinistin Rron Bakalli e violonçelistin Arian Zherka ka formuar trion për të sjellë edhe frymën muzikore të Mozart në mbrëmjen me muzikë romantike në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, të shtunën mbrëma. 

Improvizuese kanë qenë kushtet për një pianiste e cila megjithëse e re në karrierë, është dëshmuar në gjithë kontinentin dhe jashtë tij. “Impromptu Nr. 1 në A dur, Op. 29 (Allegro assai, quassi presto)” dhe “Impromptu Nr. 2 në F-sharp major, Op. 36 (Andantino)” që janë karakterizuar nga shprehje të gëzueshme dhe pa tipare dramatike, por shpesh edhe në frymë lirike me lëvizje të ngadaltë. 
Ato kanë magjepsur me natyrën e tyre poetike dhe me delikatesën e tingullit. Peizazhi muzikor i së parës ka qenë i mbështetur në akorde të buta dhe që ngjan në improvizim të shkujdesur. Tema fillestare aty përsëritet vazhdimisht, por e njëjta shkon duke u bërë më dinamike. Derisa tema të tjera hapen e ndërhyjnë, ajo qendrore është e palëkundur. 

E dyta ka qenë shumë më ndryshe nga e para, për nga natyra e saj. Veprat kanë qenë emocionuese, të thella, dhe i tillë ka qenë edhe interpretimi i pianistes Cascio. 

Në pjesën e parë të koncertit ajo ka luajtur “Four Impromptus, Op. 90” nga Franz Schubert. “Nr. 1 në C mol (Allegro molto moderato)” ka një hyrje të guximshme si një lloj marshi. E kontrasti është tema mbyllëse. Tema qendrore vjen si në heshtje, si ritëm që përsëritet gjatë gjithë kohës sa luhet pjesa. 
“Nr. 2 në Es dur (Allegro)” ka pasur pasazhe të shpejta që zbresin shkallë-shkalë. Ajo ka filluar me melodi të gjata ndërsa “Nr. 3 në Ges dur (Adante mosso)” ka qenë një lloj mishërimi i melodisë së ngadaltë me atë që herë pas here thekson me tinguj. Është një lloj tingulli meditativ. “Nr. 4 në As mol (Allegretto)” hapet me akorde që rëndohen vazhdimisht. 

Pianistja Eloisa Cascio i ka konsideruar si tejet të bukura këto vepra. 

“Interpretova ‘Impromptu’ nga Schubert që është forma më e rëndësishme klasike gjermane e muzikës së dhomës. Është pjesë solo, e shkruar shumë mirë dhe shumë e interpretuar në botë. Vepra nga Chopin gjithashtu interpretohen shumë dhe kërkon shumë forma muzikore nga ‘bel canto’ kështu që kërkon përkushtim”, është shprehur ajo. 

Për veprën “Trio në C dur, KV 548” të Mozart pianistes Eloisa Cascio i janë bashkuar violinisti Rron Bakalli dhe violonçelisti Arian Zherka. Veprën e kanë interpretuar në tri kohët “Allegro”, “Andante Cantabile” dhe “Allegro” (Foto: Rrahman Osmani)

Për veprën “Trio në C dur, KV 548” të Mozartit i janë bashkuar violinisti Rron Bakalli dhe violonçelisti Arian Zherka. Veprën e kanë interpretuar në tri kohët “Allegro”, “Andante Cantabile” dhe “Allegro”. 
“Muzika e Mozartit është shumë interesante dhe sigurisht se ka elemente nga muzika operistike. Jam kënaqur shumë. Shpresoj që në të ardhmen të bashkëpunojmë prapë, mbase duke interpretuar Mendelssohn ose Mozart”, ka thënë pianistja Cascio. 

Në vitin 2016 ajo fitoi Çmimin Special “Steinway Piano Series” të Universitetit të Floridës së Jugut, që jepet çdo vit për të ndihmuar një pianiste të jashtëzakonshme në fillim të karrierës së saj profesionale. 

Pianistja Cascio ka luajtur si soliste dhe në muzikë dhome në festivale të ndryshme në Itali, Austri, Belgjikë, Francë, Gjermani, në shumë prej kryeqendrave të tjera evropiane e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo luan edhe në klaviçembal, instrument me të cilin ka luajtur recitale, muzikë dhome e koncerte të Bachur dhe të De Fallas. Ajo është mësuese e pianos në konservatorin “Nicola Sala” në Benevento të Italisë. 

Pianistja Besa Luzha ka vlerësuar se koncerti në përgjithësi ka qenë me program të zgjedhur mirë dhe me vepra të interpretuara si duhet. 

“Një koncert shumë simpatik. I konceptuar shumë bukur, pra në dy pjesë, fillimisht me ‘impromtyte’, pjesë të vogla të kompozitorëve romantikë. Sikur noktunet, valset e miniaturat, por janë shumë të kërkuara në repertorin e pianistëve. Katër të Schubert dhe dy të Chopin e plotësuan shumë bukur këtë pjesë të parë të koncertit, e mandej edhe trio, së bashku me violinistin Rron Bakalli dhe me çellistin Arian Zherka”, ka thënë ajo duke vlerësuar edhe pjesën e dytë të programit të koncertit. 
“Na solli një atmosferë të atyre salloneve ku Mozart dhe kompozitorë të tjerë bashkëkohanikë u kanë ofruar kënaqësi audiencave duke interpretuar trio, kuartete. Ishte një interpretim jo veç i saktë dhe tepër virtuoz, por edhe shumë i ngrohtë, duke pasur parasysh kushtet në sallë. Na ngrohën zemrat me muzikalitetin e tyre”, ka thënë Luzha më tej. 

E drejtoresha e festivalit “KamerFest”, violinistja Sihana Badivuku, e ka konsideruar koncertin si freski për publikun në Prishtinë. 

“Pos dy veprave solo që interpretoi, impromptytë e njohura të Schubert dhe Chopin për solo piano që ishin shumë delikate për një pianist koncertant me ato finesat që i mbizotëroi dhe na i shpalosi në skenë me një teknikë të përsosur pianistike, me bashkëpunimin me Rron Bakallin dhe Arian Zherkën, instrumentistët tanë të rinj kosovar, besoj se do të tregohet edhe më i frytshëm bashkëpunimi i mëtutjeshëm edhe në Itali e më gjerë. Gjithnjë e kemi parim që artistët e rinj me ata profesionistë të gërshetohen dhe të formojnë ansamble të përbashkëta, edhe pse ato janë ad-hoc gjatë festivaleve”, ka thënë Badivuku. Veprën e Mozart e ka konsideruar të rafinuar, me përplot finesa dhe si risi për publikun e muzikës klasike në vend. 

Koncerti “Romantic Piano Impromtus” me program të njëjtë është mbajtur edhe në Gjakovë, në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”, të premten pasdite.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More