Rritet presioni/ Shkupi kërkon ndihmën e BE-së për eurointegrimet, Bullgaria atë të Budapestit

nga Xh M

Bruksel, 25 tetor – Procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut është rikthyer sërish në qendër të debateve politike, pas deklaratave të reja nga përfaqësues të lartë evropianë dhe rajonalë. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe eurodeputeti austriak Thomas Weitz përmes mesazheve që dhanë, treguan qartë se topi është në anën e Maqedonisë së Veriut, pra se ajo duhet të veprojë. Nga ana tjetër Maqedonia e Veriut kërkon garanci dhe ndihmë nga BE, kurse Sofja kërkon ndihmën e Budapestit që të bindë Shkupin të bëjë ndryshimet kushtetuese. Ky hap është kusht i domosdoshëm për nisjen e vërtetë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, raporton Portalb.mk.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen theksoi gjatë vizitës së saj në Shkup se ndryshimet kushtetuese janë “hapi i vetëm dhe i qartë” drejt hapjes së kapitujve të negociatave.

Kush kujt i kërkon ndihmë?

Në këtë moment delikat diplomatik, secila palë po kërkon mbështetje për ta çuar procesin përpara. Eurodeputeti Thomas Weitz apelon për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve evropiane dhe qeverisë së Shkupit, në mënyrë që vendi të mos humbasë momentumin e integrimit. Ai tha se shpreson që pas zgjedhjeve të bëhen ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të përfshirë komunitetin bullgar në Kushtetutë si pakicë.

“Kjo do të hapë rrugën për fillimin e vërtetë të negociatave. Dua të them, tani është një vend i përfshirë në procesin e pranimit, por ne në fakt nuk i kemi filluar negociatat. Duhet t’i fillojmë ato së shpejti në mënyrë që ta mbajmë vendin në rrugën e duhur”, tha Weitz në një deklaratë për Agjencinë Evropiane të Lajmeve (ENR), pjesë e së cilës është edhe agjencia shtetërore MIA.

Ai kujtoi se Maqedonia e Veriut është bllokuar nga Bullgaria, sepse “ka shumë çështje që lidhen me identitetin që bllokojnë përparimin e saj”.

Presidentja maqedonase Gordana Siljanovska–Davkova, nga ana tjetër, ka kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian për të gjetur një “zgjidhje kreative” që do të shmangte tensionet e brendshme politike dhe do të hapte rrugën për ndryshimet kushtetuese.

“Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova pret ndihmë nga Unioni në gjetjen e një zgjidhjeje krijuese për të zhbllokuar integrimet maqedonase”, njoftoi kabineti i presidentes, ndër të tjera, pasi u takua me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Shkup më 15 tetor.

Ndërkohë, presidenti bullgar Rumen Radev po i kërkon ndihmë Hungarisë që të ndikojë në Shkup për të përmbushur detyrimet e marrëveshjes.

Presidenti bullgar Rumen Radev e bëri këtë kërkesë publike homologut të tij hungarez Tamas Sujok më 20 tetor.

“I bëra thirrje presidentit Sujok dhe palës hungareze që ta ndihmojnë këtë vend duke i bindur vërtet vëllezërit tanë se pranimi dhe përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë, respektimi i konsensusit evropian, mungesa e presionit dhe diskriminimit ndaj bullgarëve në RMV janë kushte të pakthyeshme për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE”, tha Radev.

Duke ia drejtuar Radevi këtë kërkesë Budapestit iu referua marrëdhënieve miqësore midis Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë dhe marrëdhënieve ekonomike që janë në rritje midis dy vendeve. VMRO-ja në pushtet konsiderohet e afërt me Fidesz hungarez të kryeministrit Viktor Orbán. Qeveritë e të dy vendeve mbajtën dy seanca të përbashkëta ndërqeveritare vitin e kaluar, një në Ohër dhe një në Budapest, ndërsa Maqedonia e Veriut gjithashtu mori kredi prej një miliard eurosh nga Banka Hungareze e Eksport-Importit. Nga ana tjetër, ish-lideri i VMRO-DPMNE Nikolla Gruevski u pranua si azilant në Budapest.

Pas zgjedhjeve lokale, pritet që qeveria në Shkup të vendosë prioritetet e saj në raport me integrimin evropian. Nëse ndryshimet kushtetuese do të kalojnë, BE-ja ka premtuar hapjen e menjëhershme të negociatave zyrtare dhe një mbështetje të fortë ekonomike për vendin.

Megjithatë, procesi mund të zgjasë, nëse përplasjet politike të brendshme vazhdojnë dhe nëse mungon konsensusi kombëtar për identitetin dhe historinë.

Në fund, do të jetë vullneti politik i Shkupit ai që do të përcaktojë nëse rruga drejt Brukselit do të hapet, apo do të mbetet e bllokuar për një kohë të pacaktuar.

Mesazhet nga Qeveria ishin në një frymë të ngjashme, ku ata njoftuan se kryeministri Hristijan Mickoski kishte treguar në takim vendosmërinë e tij për të përshpejtuar integrimin evropian, por edhe se “shteti pret një angazhim të qartë dhe konkret nga BE”.

Maqedonia e Veriut këmbëngul në garanci se ndryshimet kushtetuese duhet të jenë kushtet e fundit nga pala bullgare.

Paraprakisht, Mickoski njoftoi në një takim me gazetarët se pret përparim pas festave të Vitit të Ri në drejtim të ofrimit të garancive se ndryshimet kushtetuese do të jenë kërkesa e fundit nga Bullgaria. Për këtë, tha ai, nevojitet presion nga një palë më e fortë.

Kryeministri paralajmëroi se VMRO-DPMNE, do të përgatisë një rezolutë të vetën pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. Ai nënvizoi se dokumenti i opozitës së LSDM-së përmban falsifikime historike dhe nuk mbron plotësisht interesat kombëtare maqedonase, duke theksuar nevojën për një qasje të kujdesshme dhe të bazuar në fakte për procesin e integrimit evropian.

Bashkimi Evropian ka theksuar se dera mbetet e hapur për Maqedoninë e Veriut, por kriteret nuk mund të anashkalohen. Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Shkup, përsëriti se vendimi është në duart e Maqedonisë së Veriut, duke nënvizuar se BE-ja është gati të mbështesë vendin sapo të plotësohen kushtet.

“Ne e mbështesim plotësisht Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së. Mund të mbështeteni tek ne. Hapi tjetër dhe i vetëm para hapjes së negociatave është i qartë. Ju duhet të bëni ndryshimin kushtetues të dakordësuara. Topi është në fushën tuaj. BE-ja është gati”, shkroi von der Leyen në X pas takimit me Mickoskin në Qeveri, pas të cilit nuk pati konferencë për shtyp.

Në anën tjetër, vendet anëtare të BE-së, përfshirë Austrinë, Slloveninë, së bashku me Gjermaninë dhe Italinë, po përpiqen të ndërmjetësojnë për të ruajtur stabilitetin rajonal dhe për të shmangur lodhjen nga zgjerimi. Ata kanë ngritur një iniciativë për të ndryshuar procesin e vendimmarrjes për këtë çështje dhe deri më tani ka mbështetjen e 16 shteteve anëtare të BE-së.

Lëvizja u diskutua më 6 tetor edhe në Shkup nga ministrja federale austriake për Evropën, integrimin dhe familjen, Claudia Plakolm, dhe sekretarja e shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovenisë, Neva Grashiq, të cilat vizituan vendin.

Plakolm dhe Grashiq, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Ministrin për Çështjet Evropiane të Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, shpjeguan se qëllimi i iniciativës është të përshpejtojë procesin e pranimit të kandidatëve, duke shmangur futjen e çështjeve dypalëshe dhe të brendshme politike në proces.

Kjo, siç thanë ata, është me qëllim përshpejtimin e pranimit të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, përfshirë vendin, si dhe Ukrainën dhe Moldavinë

Pavarësisht përpjekjeve politike, ngecja kryesore qëndron tek ndryshimet kushtetuese të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Opozita maqedonase, e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, fillimisht e ka kundërshtuar me forcë përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë, duke e parë atë si presion të padrejtë nga Sofja dhe Brukseli. Por më vonë, qëndrimi i saj ka ndryshuar. Tani kërkon garanci nga BE-ja që Bullgaria nuk do të ketë më kërkesa të reja.

Në këtë mënyrë, fati i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut varet nga aftësia e forcave politike për të gjetur kompromis të brendshëm.

Ndryshimet kushtetuese janë pjesë e detyrimeve që Shkupi ka marrë përsipër në kompromisin që u arrit mbi kornizën negociuese në vitin 2022, pasi Sofja paraprakisht vuri veto ndaj fillimit të negociatave në vitin 2020. Maqedonia e Veriut mbajti konferencën e saj të parë ndërqeveritare me Brukselin, por për të dytën dhe për hapjen e grupeve duhet të fusë komunitetin bullgar në Preambulën e Kushtetutës, për të cilën Sofja pret ndihmë nga Budapesti.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria që nga viti 2017 kanë një Marrëveshje për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim. Megjithatë, në nëntor 2020, Sofja vendosi veto për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Shkupit për shkak të mosmarrëveshjeve për gjuhën, historinë dhe minoritetin bullgar.

Me ndërmjetësimin e partnerëve evropianë, u arrit një kompromis për kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut, e cila pranoi që në Preambulën e Kushtetutës, përveç komuniteteve ekzistuese, të shtohet edhe komuniteti bullgar. Nga ana tjetër, u ruajt formulimi i pastër për gjuhën maqedonase, ndërsa Bullgaria dha një deklaratë të njëanshme me qëndrimin e saj për këtë çështje.

Pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022, më 19 korrik 2022, Maqedonia e Veriut mbajti Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE-në në kuadër të procesit të anëtarësimit. Për të mbajtur të dytën dhe për të hapur kapitujt negociues, Parlamenti i RMV-së duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese me të cilat bullgarët do të përfshihen në Preambulë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More