Rruga e re Qukës–Qafë Plloçë hapet për qarkullim

nga D. V.

Rruga e re Qukës–Qafë Plloçë, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të Shqipërisë, ka përfunduar dhe është tashmë e aksesueshme për automjetet.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e  publikoi sot në rrjetet sociale, pamje nga ky aks i ri rrugor, duke theksuar se “gati gjithçka! Qukës – Qafë Plloçë”.

Me një gjatësi totale prej 43.4 kilometrash, Qukës – Qafë Plloçë përfaqëson një investim strategjik në infrastrukturë që pritet të sjellë përfitime të ndjeshme për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonave lindore të vendit.

Rruga do të shërbejë si një lidhje e rëndësishme për komunitetet lokale, duke përmirësuar qasjen dhe duke shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit.

Sipas Ballukut, ky projekt u përmbyll në kuadër të përpjekjeve për të çuar përpara projektet që kanë qëndruar gjatë në proces ndërtimi, dhe tashmë rruga është plotësisht funksionale për qarkullim. Ajo theksoi se përfundimi i këtij aksi është një hap konkret në realizimin e vizionit të qeverisë për “Shqipërinë Turistike 2030”.

Tashmë ka përfunduar edhe loti i fundit i rrugës Qukës-Qafë Plloçë prej 9.3 km me asfaltimin e  400 m nga ky segment.

Për shkak të terrenit të vështirë kjo vepër infrastrukturore përfshiu ndërtimin e një numri të madh muresh mbajtëse, mbi 20 ura, 2 tunele të ndërtuara me gjatësi 850 m dhe 350 m, së bashku me tunelin e emergjencës.

Projekti për ndërtimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë u nda në tre lote dhe me përfundimin e plotë mundësohet ndërlidhja e domosdoshme për komunitetet që banojnë në afërsi të këtij aksi. Ky aks rrugor krijon një perspektivë e re për zhvillimin e zonës së Mokrës dhe rajoneve përreth, duke krijuar kushte të reja për zhvillimin e bujqësisë, turizmit dhe ekonomisë lokale.

Një nga përfitimet kryesore të këtij aksi është shkurtimi me rreth 45 minuta i kohës së udhëtimit në aksin kombëtar Tiranë-Korçë, çka e bën këtë rrugë të rëndësishme jo vetëm për qarkullimin lokal, por edhe për udhëtarët dhe turistët që udhëtojnë drejt juglindjes së Shqipërisë.

Rruga është gjithashtu panoramike, duke ofruar pamje të bukura natyrore që e bëjnë atë një atraksion më vete për turistët.

Ky investim përmbyll një kapitull të rëndësishëm në infrastrukturën rrugore të vendit dhe hap rrugën për më shumë projekte që synojnë rritjen e aksesit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More