Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte dha sot një mesazh online në Konferencën e 3-të të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s që po mbahet në Tiranë.
Rutte shprehu keqardhjen që nuk ndodhet personalisht në konferencë, ndërsa vuri në dukje se sot tastiera është armë lufte që shënjestron shoqëritë tona çdo ditë.
“Aktorë shtetërorë e jo shtetërorë punojnë kundër nesh në hapësirën kibernetike duke u rrekur që të prishin mbrojtjet tona, të degradojnë infrastrukturën tonë, të spiunojnë shoqëritë tona dhe të ndërhyjnë në shërbimet qeveritare. Në përgjigje të kësaj, NATO-ja vazhdon të bëhet edhe më e fortë në botën digjitale. 10 vjet më parë hapësira kibernetike u bë një fushë operative. Ne jemi stërvitur e kemi kryer operacione në hapësirën kibernetike si pjesë e rritjes së aftësive tona dhe kundërshtarët tanë e dinë se në fakt shkelja në hapësirën kibernetike mund të vërë në lëvizje nenin numër 5”, tha ai.
Kreu i NATO-S theksoi se “në Belgjikë ne po ngremë një qendër të integruar të kibernetikës në NATO dhe natyrisht kjo do të informojë të gjithë komandat e NATO-s për kërcënimet dhe rreziqet në hapësirën kibernetike duke përfshirë edhe infrastrukturën kritike civile-ushtarake. Në fakt personel civil nga e gjithë NATO-ja dhe nga qeveritë aleate, ekspertët e industrisë janë mbledhur aty”.
“Gjithashtu aleatët e NATO-s po rrisin investime te tyre në hapësirën kibernetike. Në Hagë, në verë, ramë dakord që do të arrijmë shpenzimet 5% për mbrojtjen, për aftësi thelbësore, por gjithashtu edhe për investime të tjera. Kjo do të thotë që mbrojtja jonë do të bëhet më e fortë dhe shoqëritë tona më rezistente ndaj kërcënimeve kibernetike”, vijoi Rutte.
Po kështu, shtoi numri një i NATO-s “vendet janë përgjegjëse për mbrojtjen, por NATO ofron një rrjet unik përmes të cilit aleatët mund të reagojnë ndaj kërcënimeve kibernetike dhe ky forum në Tiranë është një forum i jashtëzakonshëm për të ndarë ekspertizën, praktikat më të mira dhe njohuritë tuaja”.
“NATO-ja është një aleancë vlerash të përbashkëta dhe do të vazhdojmë të promovojmë një reagim të bazuar në norma e të menjëhershëm në hapësirën kibernetike. Në NATO askush nuk qëndron i vetëm, të gjithë qëndrojmë së bashku në këtë epokë digjitale kundër çdokujt që kërkon të na dëmtojë”, tha Rutte.
Shqipëria është vendi mikpritës i delegacioneve nga 32 vendet anëtare të Aleancës, të përfaqësuara nga ministritë e Jashtëm, të Mbrojtjes dhe cyber ambassadors (ambasadorët kibernetikë).
Ky event i nivelit të lartë shërben si një platformë unike për shkëmbimin e njohurive, forcimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e strategjive të përbashkëta që synojnë mbrojtjen kolektive përballë kërcënimeve gjithnjë në ndryshim në hapësirën kibernetike.