Salla e UKM që kushtoi 2.5 milionë euro dhe kurrë nuk u përdor, tani do të rikonstruohet edhe me 900 mijë euro tjera

nga Xh M

Shkup, 20 nëntor – Salla sportive e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (UKIM), në të cilën shteti investoi rreth 2.5 milionë euro, sot paraqet një objekt të braktisur dhe të shkatërruar – simbol i neglizhencës shumëvjeçare institucionale. Edhe pse u ndërtua në vitin 2017 me qëllim që studentët e kampusit pranë Fakultetit Juridik, Ekonomik dhe Filologjik të kishin një hapësirë moderne për sport dhe mësim në edukatë fizike, salla asnjëherë nuk u vu në funksion.

Brenda pak viteve, objekti i ri u transformua në një strukturë tërësisht të rrënuar: dritare të thyera, tribuna të dëmtuara, dysheme sportive e shkatërruar dhe hapësira të brendshme të shndërruara në një depo të improvizuar mbetjesh. Në vend që të bëhej resurseti më i madh sportiv për studentët në vend, salla u kthye në një “pikë të vdekur” në zemër të kampusit, për të cilën institucione të ndryshme nuk morën përgjegjësi për vite të tëra.

Sipas Ministrisë së Sportit, më në fund ka nisur procedura për “ringjalljen” e sallës universitare. Nga atje thonë se tenderi për përzgjedhjen e kompanisë realizuese është në proces, dhe pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti. Menjëherë pas përzgjedhjes së realizuesit, do të nisë edhe rekonstruksioni i plotë i objektit.

“Ministria e Sportit tashmë ka nisur procedurën për rikonstruksionin e sallës në kampusin e UKIM-it. Deri në fund të vitit pritet të përfundojë procedura e tenderit për përzgjedhjen e realizuesit, dhe pas zgjedhjes, në afatin ligjor, do të fillojë rekonstruksioni i plotë. Ky është një nga projektet prioritet të Ministrisë për zhvillimin e infrastrukturës sportive. Ky objekt është tejet i rëndësishëm për procesin arsimor dhe zhvillimin e sportit, pasi mbi 4.000 studentë do të mund të realizojnë aty orët e edukatës fizike dhe të ushtrojnë sport.”, thuhet në njoftim.

Në buxhetin shtetëror për vitin 2026 tashmë janë paraparë mjetet për projektin. Për rikonstruksionin e sallës së UKIM-it janë ndarë 54 milionë denarë (rreth 900 mijë euro), përfshirë TVSH-në. Kjo shumë do të mbulojë sanimin e plotë të hapësirës që, siç pranon Ministria, për një dekadë të tërë është lënë në gjendje të mjerueshme.

“Rikonstruksioni përfshin vendosjen e një dyshemeje të re sportive, rregullimin e tribunave, zhveshtoreve dhe instalimeve teknike – sistemet e ngrohjes, ftohjes, ventilimit, ujësjellësit, kanalizimit dhe mekanizmave të tjerë të domosdoshëm për funksionimin e sigurt të objektit.”, shton Ministria.

Me këto investime, pritet që një nga objektet më të rëndësishme sportive për studentët në Shkup më në fund të vihet në funksion – pas pothuajse 10 viteve degradimi të plotë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More