Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj në një deklaratë për mediet jashtë Kuvendit e quajti një akt të tmerrshëm vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit.
Duke folur pas mbylljes së seancës plenare, Shehaj tha se është seanca e shtatë që mblidhet Parlamenti dhe iu mohohet e drejta e fjalës deputetëve.
“Ndodhi përsëri dhe sot gjetën një pretekst për të mbyllur seancën dhe për të mohuar të drejtën e fjalës për deputetë të zgjedhur nga qytetarë shqiptarë. Ajo që ndodhi vrasja e djeshme e gjyqtarit në sallën e gjyqit është një akt i tmerrshëm që godet themelet e shtetit shqiptar”, tha Shehaj.
Shehaj gjithashtu kërkoi nga Parlamenti t’i japë zgjidhje problemeve me pronat me të cilat përballen qytetarët shqiptarë prej vitesh.
“Problemet e pronës, mohimi i të drejtës së pronës 35-vjeçare buron pikërisht nga ky parlament”, theksoi Shehaj.
Shehaj akuzoi qeverinë për ligjet, sipas tij abuzive, si ai i investitorëve strategjikë dhe ‘Paketa e Maleve’ përmes të cilave ai tha se “Shqipëria po i falet investitorëve”.
Sipas Shehajt, “Qeveria po i vjedh pronat e shqiptarëve duke nisur nga bregdeti e deri në zonat malore”.
“Mjaft më me gënjeshtra që nuk zgjidhet, nuk zgjidhet. E thonë se duan të vazhdojnë t’i vjedhin t’i vjedhin siç kanë bërë me ligjin për investimet strategjike dhe me ligjin për paketën e Maleve”, tha Shehaj.