Kështu u shpreh sot ish-deputeti Dashamir Shehi, drejtues i LZHK-së, teksa theksoi nevojën për bashkim të opozitës.
Teksa komentoi zhvillimet e fundit politike në vend dhe seancën plenare, ai sugjeroi që opozita të mos e braktisë parlamentin por ta bëjë debatin atje. Shehi tha se është kryeministri Edi Rama që i sajon qëllimisht këto situata, ndaj edhe opozita nuk duhet të bjerë preh e këtyre lojërave politike.
“Si një ish-deputet i vjetër, për këtë luftën që bëjnë, them se është normale. Opozita duhet të respektohet. Këto komisionet e sajuara janë për t’i bërë qefin këtij apo atij….Duhet të ushtrojë opozita detyrën e saj në komisione, pasi qeverinë e ka mazhoranca. Ndërkohë, sherri dhe debati në Kuvend është i kotë, pasi i bën vetëm qefin qeverisë. Do ishte mirë që ky program të lexohej. Kjo punë nuk po tërheq qytetarët. Këta e fillojnë me këmbën e mbrapshtë. Rama atë punë do, i sajon vetë situatat”, tha Shehi për “News 24”.
Ai ironizoi edhe ministren e re virtuale, Diella, duke nënvizuar se së shpejti do i dalë tymi edhe asaj propagande qeveritare.
“Ne qenkemi para atyre? Ky është një element propagandë dhe nuk është çudi që do t’i dalë tymi shumë shpejt. Mund t’i japë nja dy tenderë Diellës dhe mund t’i dalë keq”, tha ai.
Kurse për zhvillimet politike të mëtejshme, ish-deputeti u shpreh se ishte gati t’i bashkohej opozitës në aksionin e saj.
“Vendi nuk do mbetet kurrë pa opozitë. Ne jemi gati të bashkëpunojmë. Opozita te shoh temat me rëndësi për Shqipërinë”, vijoi ai.
I pyetur për kandidatin e opozitës përballë Ogerta Manastirliut për zgjedhjet e parakohshme të Bashkisë Tiranë, Shehi u shpreh se ka kandidatura dhe emra të mirë, duke përmendur Jorida Tabakun apo Ilir Alimehmetin, që morën edhe numër të madh votash më 11 maj.
“Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku dhanë një sinjal që kanë simpati. Janë të rinj dhe kanë dije. Ti s’mund të marrësh një që ka zbritur nga fshati atje… mund të jenë milionerë por…Do të mbështetja këta të rinj. Edhe Lapaj do e mbështesja. Nuk është personazh i Tiranës, por prodhoi diçka. Por i ranë pak me shkelm, si puna lopës, atij qumështit”, tha ai.