Të dhënat e INSTAT mbi Anketën e Buxhetit të familjeve tregojnë se shpenzimet mujore të njësive familjare në Gjirokastër u rriten me 2.9% në vitin 2024, niveli më i lartë në shkallë kombëtare, e ndjekur nga Kukësi me 2.5% dhe Fieri me 2.3%. Në këto qarqe shpenzimet e familjeve u rriten më shumë se mesatarja kombëtare 1.5%.
Në Gjirokastër, rritja lidhet me zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, ku sidomos pas pandemisë ka nxitur hapjen e bizneseve të reja familjare.
Në Kukës rritja e shpenzimeve të familjeve po vjen prej remitancave nga emigrantët. Qarku i Kukësit përjetoi emigracion masiv te të rinjve kryesisht drejt Britanisë së Madhe në 15 vitet e fundit.
Vala e re e emigracionit e ka ndikuar pozitivisht konsumin e familjeve në këtë qark, i cili pavarësisht rritjes mbetet i fundit për nivelin e ulët shpenzimeve familjare në rang vendi.
Në krahun tjetër, familjet në qytetet si Korça dhe Tirana pësuan rritjen me të ulët të shpenzimeve me 0.4 dhe 0.5% secila, duke regjistruar një ndryshim më të ulët. Frenimi i rritjeve të shpenzimeve në Kryeqytet po reflekton maturimin e ekonomisë së kryeqytetit, familjet e të cilët kanë buxhetin më të madh në shkallë vendi.
Një familje në Tiranë shpenzoi mesatarisht 108,588 lekë vitin e kaluar, 14.4% më e lartë se mesatarja kombëtare dhe 31 për qind më shumë se Kukësi, qarku më i varfër i vendit.
Familjet e kryeqytetit përballen me kosto më të larta se pjesa e vendit, për shkak të qirave më të larta të banesave dhe në përgjithësi çmime më të larta të ushqimeve, shërbimeve arsimore dhe mallrave dhe shërbimeve të tjetra në përgjithësi.
Qytetet me rritje më të ulët të shpenzimeve të familjeve me 2024 si Korça (0.4%), Tirana (0.5%), Lezha (0.5%) dhe Durrësi (0.7%), ndodhen në një fazë më të pjekur të zhvillimit ekonomik.
Tirana dhe Durrësi kanë tashmë tregje të konsoliduara, ku hapësira për zgjerim të shpejtë është më e kufizuar, ndërsa rritja fokusohet më shumë te cilësia e shërbimeve dhe inovacioni sesa te sasia.
Në Korçë, megjithëse është zhvilluar bujqësia dhe turizmi sezonal, mungesa e investimeve të reja industriale dhe largimi i të rinjve drejt Tiranës e jashtë vendit ka frenuar ritmin e rritjes.
Nga ana tjetër zonat që po nisin nga një bazë më e ulët ekonomike kanë ritme më të larta rritjeje, ndërsa qytetet që kanë arritur një nivel të qëndrueshëm zhvillimi po lëvizin me ritme më të ngadalta./ Monitor
