Shpërdoruan detyrën në dëm të Ministrisë së Bujqësisë, Prokuroria e Tiranës çon në gjyq 20 zyrtarë

nga L. M

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 20 nëpunës publikë, të akuzuar për shpërdorim detyre në të paktën shtatë procedura prokurimi, që kanë shkaktuar dëm ndaj Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Në njoftimin e sotëm të Prokurorisë Tiranë thuhet se hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga Ministria bazuar në raportet e auditit nga KLSH, i cili konstatoi shkelje të rënda në këto prokurime me vlerë mbi 525 milionë lekë pa TVSH.

Në njoftim thuhet se nga hetimet e kryera mbi rezultoi se shtetasit M.K., E.H., G.Xh., I.A. A.Gj., L.K. E.P., L.H., M.P., E.F., A.L., E.R., I.B., A.Z., A.Gj., S.P., A.I., A.Dh., K.N., A.A. kanë kryer veprën e mësipërme në dëm të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bazuar në raportet e auditit që Kontrolli i Lartë i Shtetit kreu, ku për shtatë procedura prokurimi, referohet se janë evidentuar shkelje të rënda ligjore në prokurime të zhvilluara kryesisht me negociim pa shpallje paraprake dhe fond limit 525.000.000 lekë pa TVSH.

“Procedurat për të cilat u konstatuan shkelje kishin të bënin me prokurimet për “Shpenzime mbrojtje bimësh dhe luftimi i parazitëve në bujqësi”, për ‘Blerje pajisje për shërbimin veterinar (motoçikleta, kaska, veshje, doreza, çanta), “Blerje kafshë të llojit gjedh për dëmshpërblimin e fermerëve të dëmtuar nga dermatoza nodulare e gjedhit” si dhe për ‘Sistem i monitorimit me kamera për hidrovoret’”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë Tiranë, të pandehurit e mësipërm, në cilësinë e personave të ngarkuar me funksion publik, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për secilën procedurë tenderimi kanë vepruar në kundërshtim me ligjin ose ligjet që normojnë veprimtarinë përkatëse të personit që ushtron funksion publik konkret. Duke përbërë në këtë mënyrë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë.

Prokuroria nënvizon se hetimi i procedurave provoi se janë konsumuar elementet e veprës penale dhe se kanë kryer veprime që nuk janë të justifikuara në lidhje me mangësitë për përcaktimin e kritereve të mallrave që kërkohen, por mbi të gjitha krijohet bindja se testimi i tregut është kryer në mënyrë fiktive.

Pas njohjes me tërësinë e akteve të sipërcituara, Prokuroria cilëson në njoftim se ekziston bindja e bazuar në prova, se nga ana e anëtarëve të njësisë së prokurimit, është konsumuar vepra penale e shpërdorimit të detyrës, referuar llojit të procedurës së zgjedhur për prokurimet, krim i parashikuar përkatësisht nga neni 248-25 i Kodit Penal.

ATSH

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More