Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Blerta Rama, bëri të ditur sot se aderimi në protokollin shtesë të Konventës për kontratën e Transportit Rrugor Ndërkombëtar të Mallrave (CMR), lidhur me faturën elektronike të ngarkesës, synon modernizimin dhe përmirësimin e sistemit të transportit ndërkombëtar të mallrave.
Gjatë shqyrtimit në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat të projektligjit, Rama theksoi se kjo nismë pritet të përmirësojë efikasitetin e rrjetit të transportit dhe të reduktojë vonesat në pikat kufitare, si dhe të rrisë sigurinë dhe monitorimin e ngarkesave përmes gjurmimit më të mirë dhe përputhjes me standardet rregullatore.
Shqipëria, e cila është bërë palë në Konventën CMR që nga viti 2006, synon me këtë projektligj të adaptojë protokollin shtesë të vitit 2008 për faturën elektronike të ngarkesës, duke lehtësuar proceset e dokumentacionit dhe duke rritur efikasitetin dhe sigurinë e transportit.
“Përdorimi i versioneve elektronike të dokumentit CMR, i detyrueshëm për vendet anëtare, do të thjeshtojë shkëmbimin e informacionit, do të reduktojë dokumentacionin fizik dhe do të optimizojë planifikimin logjistik,” tha Rama.
Për implementimin e këtij sistemi, tha ajo, qeveria shqiptare do të jetë nën mbikëqyrjen e Komisionit Europian dhe do të përfitojë mbështetje nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes.
Aktualisht, dokumenti i transportit kontrollohet nga doganat mbi bazën e dokumenteve fizike, por së shpejti do të bëhet kalimi në paraqitjen elektronike përmes sistemeve që po zhvillohen, si “Dritarja e Vetme Doganore” dhe sistemi i transitit doganor.
Republika e Shqipërisë do të përfshihet gjithashtu në konventat dhe standardet evropiane të Rrjetit Evropian të Transportit Ndërkombëtar Rrugor (ETIRNET), duke ndjekur një seri hapash të ndërthurur që synojnë digjitalizimin e plotë të dokumentacionit të transportit dhe rritjen e efikasitetit dhe sigurisë në tregtinë ndërkombëtare të mallrave.
https://www.facebook.com/watch/?v=1436673704105248
