Shtyhet seanca gjyqësore për rastin e lehonës, Jildiz Veaposkës nga Dibra

nga Xh M

Dibër, 7 nëntor – Edhe sot u shty seanca gjyqësore për rastin e nënës nga Dibra, Jildiz Veaposka, për shkak të mungesës së të pandehurve dhe avokatëve të tyre. Në këtë seancë duhej të prezantohej raporti i super-ekspertizës mjekësore, por procesi u ndërpre sërish.

Veaposka prej vitesh kërkon drejtësi, pasi gjatë lindjes në spitalin e Strugës mezi mbijetoi, ndërsa mbeti pa tre organe.

Ajo deklaroi se të pandehurit prej tre vitesh gjejnë mënyra për ta zvarritur gjyqin me qëllim që vepra të parashkruhet, por paralajmëroi se kjo nuk do të ndodhë.

“Nëse deri në fund të muajit nuk mbahen seancat e planifikuara, unë dhe familjarët e mi do të dalim në protestë para gjykatës së Strugës,” – tha Veaposka.

Avokati i saj, Sasho Janev, theksoi se shtyrja e vazhdueshme e seancave me qëllim parashkrimi është dëshmi e fajësisë së të akuzuarve.

Gjykatësi Jordan Jovanov paralajmëroi se, nëse të pandehurit mungojnë edhe në seancat e ardhshme, do të shoqërohen me forcë nga policia, dhe se nuk do të lejohet parashkrimi i veprës.

Seanca e re është caktuar për të hënën, në orën 10:00, në Gjykatën e Strugës.

Në këtë proces gjyqësor, i akuzuari kryesor është dr. Muhamed Asani, gjinekolog–obstetër dhe ish-drejtor i spitalit të Strugës; i dyti është dr. Blerton Asani, djali i tij; ndërsa e treta e akuzuar është dr. Liljana Jovanoska, gjinekologe–obstetër.

Ata akuzohen për vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve, pasi gjatë lindjes në spitalin e Strugës, Veaposka mbeti pa një veshkë, mitër dhe vezore. Sipas të dhënave, vepra parashkruhet në gusht të vitit të ardhshëm.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More