Pas dështimit të martën, sot do të vazhdojë seanca konstitutive e Kuvendit të Kosovës.
Seanca është paraparë të mbahet në ora 12:00.
Të mërkurën, kryesuesi i seancës, Avni Dehari i është drejtuar me një letër presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për hapat e mëtejmë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i është përgjigjur zyrtarisht kërkesës së kryesuesit të seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, duke theksuar se garantimi i funksionimit kushtetues të institucioneve është përgjegjësi thelbësore e saj si Presidente.
Në letrën drejtuar Kuvendit, Osmani ka potencuar se Kushtetuta e Republikës dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese kërkojnë interpretim që e mundëson, e jo që e pengon, themelimin dhe funksionimin kushtetues të institucioneve.
Pas letrës së presidentes, seanca është caktuar për sot në ora 12:00.
Deputetët e zgjedhur të partive kryesore politike parlamentare kanë thënë se do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, por me qëndrime të njëjta që çuan drejt ndërprerjes së saj ditë më parë.
Seanca nisi të martën, rreth orës 11:00 dhe u ndërpre rreth dy orë më pas, për shkak se deputetët nuk e miratuan raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, që do t’i hapte rrugë betimit të deputetëve.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka thënë vazhdimisht se ekzekutivi është në dorëheqje që nga përfundimi i mandatit katërvjeçar më 23 mars.