Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim gjashtë të pandehur të akuzuar për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm.
SPAK dërgoi për gjykim në GJKKO, Armand Tragajn, me profesion avokat, Edison Cukën (Gjoka), Serxhio Shkodrën, Ervis Detin, Bexhed Memën dhe Naim Behlulin.
Gjashtë të pandehurit akuzohen konkretisht për veprat penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
SPAK njoftoi sot se gjatë hetimeve të nisura në vitin 2019, kanë rezultuar faktet penale të mëposhtme në ngarkim të shtetasve të përmendur. Në vijim, prokurorët e çështjes e kanë ndarë këtë procedim duke regjistruar një procedim të ri këtë vit.
Gjatë hetimeve të kryera në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore me autoritetet italiane për trafikun e lëndëve narkotike janë evidentuar edhe episodet e mëposhtme të përfshirjes së shtetasve shqiptarë në veprimtari të paligjshme.
“Konkretisht i pandehuri Armand Tragaj, me profesion avokat, duke përdorur aplikacionin SkyECC ka komunikuar dhe ndërmarrë veprime për personat në mbrojtjen e tij ,duke ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë. Ai, ka konsumuar elementet e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funkisone publike”, (kryer në 4 episode), si dhe në një episod ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit””, njoftoi SPAK.
Sipas SPAK “në një episod tjetër, nga përgjimet, vëzhgimet në ambiente publike si dhe aktet e tjera, rezulton e provuar se i pandehuri, Edison Cukaj (Gjoka), ndonëse ishte në dijeni të faktit që nuk ishte në kushte të rregullta ligjore për kalimin e kufirit, për të lëvizur në zonën ‘’Shengen’’, ka kontaktuar dhe është ndihmuar nga të pandehurit; Ervis Deti, Serxhio Shkodra, dhe Bexhed Mema, të cilët i kanë kërkuar dhe marrë shumën prej 3 (tre) mijë euro të pandehurit me qëllim ushtrimin e ndikimit të tyre tek punonjësi i policisë kufitare i pikës së kalimit kufitar të Portit Durrës, inspektor, Naim Behluli. Përmes ndikimit të ushtruar ndaj funksionarit publik dhe me vetëdije të plotë është realizuar kalimi i kufirit pa pengesa nga i pandehuri Edison Cukaj (Gjoka)”.
Hetimet vijojnë për persona të tjerë, të përfshirë në veprimtari kriminale.
