Shkup, 27 tetor – Zyrtarisht, Madridi ka konfirmuar se do ta mbështesë fuqishëm Maqedoninë e Veriut në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, por vetëm nëse miratohen ndryshimet kushtetuese dhe plotësohen kriteret e Kopenhagës.
Kështu deklaroi Rafael Soriano Ortiz, ambasadori i Spanjës në Maqedoninë e Veriut, gjatë një debati të organizuar nga Instituti Prespa, në përgjigje të pyetjes nëse qeveria maqedonase mund të marrë garanci nga BE-ja që Bullgaria nuk do ta bllokojë procesin pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese.
Ambasadori Ortiz theksoi se nuk sheh alternativë më të mirë për rajonin sesa BE-ja dhe se Spanja është ndër vendet anëtare që mbështesin zëvendësimin e parimit të unanimitetit me shumicë të cilësuar në vendimmarrjen evropiane.
“Spanja është pjesë e grupit të vendeve miqësore në BE që favorizojnë shumicën e cilësuar në vend të unanimitetit. Fatkeqësisht, jo të gjitha vendet janë të një mendimi, por ne besojmë fuqishëm – siç tha edhe presidentja e Komisionit Evropian gjatë vizitës në Shkup – se nëse Maqedonia e Veriut i përmbush detyrimet e marra në vitin 2022 dhe kriteret politike e ekonomike të Kopenhagës, të gjitha vendet anëtare, veçanërisht Spanja, do ta mbështesin këtë proces nga zemra,” – deklaroi ambasadori Rafael Soriano Ortiz.
Në të njëjtën ngjarje foli edhe profesori spanjoll Jesús Nieto González, historian dhe ekspert i çështjes maqedonase, i cili tha se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është mburojë kundër nacionalizmit ekstrem dhe ndikimeve të jashtme. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi duhet të bëhen sa më shpejt pjesë e familjes evropiane.
Profesori González kritikoi qëndrimin e BE-së ndaj rajonit, duke e cilësuar si të dobët, dhe paralajmëroi se ndarja e Maqedonisë nga Shqipëria, si dhe ritmi më i shpejtë i Tiranës dhe Podgoricës drejt BE-së, mund të krijojë probleme për Shkupin në të ardhmen, të ngjashme me fenomenin e pasaportave bullgare.
“A ka pakicë bullgare në Maqedoninë e Veriut? Unë nuk e shoh. Njoh njerëz me pasaporta bullgare, por ata nuk ndihen si bullgarë. Pse ka aq shumë pasaporta bullgare? Sepse Maqedonia e Veriut nuk është pjesë e Bashkimit Evropian,” – tha profesori Jesús Nieto González.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian duhet ta trajtojë seriozisht çështjen e mënyrës së marrjes së vendimeve, duke vlerësuar se procesi i zgjerimit mund të përshpejtohet vetëm me vendimmarrje me shumicë të cilësuar, pasi situata aktuale me 27 anëtarë është shumë më komplekse se ajo kur BE kishte vetëm gjashtë ose dymbëdhjetë vende.
