Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ndodhet Nju-Jork (SHBA), ku po merr pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Me ftesë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, mbrëmjen e djeshme ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali i është bashkuar darkës transatlantike në Nju Jork të SHBA-ve.
Spiropali duke përcjellë momente nga takimi me kryediplomatin amerikan, shkroi në rrjetet sociale se “aleanca strategjike mes vendeve tona do të thellohet edhe më tej në dimensionin politik, ekonomik dhe atë të sigurisë.”
“Me shumë kënaqësi iu bashkova darkës transatlantike, me ftesë të Sekretarit Amerikan të Shtetit Marco Rubio, ndërkohë që aleanca strategjike mes vendeve tona do të thellohet edhe më tej në dimensionin politik, ekonomik dhe atë të sigurisë”, theksoi kryediplomatja shqiptare.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme është e pranishme në hapjen e debatit të përgjithshëm në Asamblenë e OKB me mesazhin “Më mirë së bashku: 80 vite dhe më shumë për paqe, zhvillim dhe të drejtat e njeriut”.
Me ftesë të presidentes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB, Annalena Baerbock, Spiropali do të marrë pjesë edhe në takimin vjetor të Platformës për Gratë Lidere të Asamblesë së OKB.
Spiropali gjithashtu përfaqëson Shqipërinë në disa takime të rëndësishme shumëpalëshe e bilaterale, ku në qendër të diskutimeve janë çështjet e sigurisë ndërkombëtare, zhvillimit të qëndrueshëm dhe të drejtave të njeriut.