Kryeministri britanik Keir Starmer u ka bërë thirrje drejtuesve të bizneseve të shfrytëzojnë mundësitë që ofron marrëveshja tregtare mes Britanisë së Madhe dhe Indisë, duke hedhur poshtë sugjerimet se Londra mund të hapë më shumë rrugë vizash për punëtorët indianë.
Starmer ka udhëtuar në Mumbai me një delegacion prej 125 drejtuesish biznesesh, personalitetesh kulturore dhe rektorësh universitetesh, në atë që “Downing Street “e ka quajtur “misioni më i madh tregtar i Britanisë ndonjëherë” në Indi.
Kryeministri britanik dëshiron që bizneset ta përdorin marrëveshjen tregtare si një “trampolinë për rritje ekonomike”, pasi ajo ofron ulje të ndjeshme të tarifave indiane për shumë industri britanike.
“Detyra jonë është ta bëjmë më të lehtë për ju që të përfitoni nga këto mundësi”, u tha ai drejtuesve të biznesit që e shoqëruan në udhëtim. “Në avionin e kthimit, dua që secili prej jush të më thotë çfarë fitoi nga kjo vizitë, një marrëveshje, një kontakt. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme. Le ta shfrytëzojmë”!
Starmer u tha se zyrtarëve se ju është kërkuar ta zbatojnë marrëveshjen, e nënshkruar në korrik, “sa më shpejt që të jetë e mundur”, dhe shtoi se ajo tashmë po ndikon pozitivisht në rritjen e tregtisë mes dy vendeve.
Kryeministri britanik hodhi poshtë gjithashtu sugjerimet se drejtuesit e kompanive që e shoqëruan kërkonin zgjerim të numrit të vizave për punëtorët e kualifikuar indianë që duan të punojnë në Britaninë e Madhe .
“Jo, kjo nuk është pjesë e planit”, tha ai për gazetarët, duke shtuar se Britania ndodhet “këtu për të përfituar nga marrëveshja e tregtisë së lirë që tashmë kemi arritur”.
Marrëveshja pritet t’i sjellë ekonomisë britanike rreth 4.8 miliardë paund në vit dhe të rrisë pagat me 2.2 miliardë paund në total.
Gjatë takimit me kryeministrin indian Narendra Modi, Starmer pritet të diskutojë jo vetëm për tregtinë.
Marrëdhënia e ngushtë e Modit me presidentin rus Vladimir Putin mund të shndërrohet në një pikë tensioni mes tyre. Ishte vetëm Modi që e uroi dje Putinin për ditëlindjen në rrjetet sociale.
India vazhdon gjithashtu të blejë naftë nga Moska, pavarësisht përpjekjeve të vendeve perëndimore për të bojkotuar makinerinë ruse të luftës, dhe është përballur me sanksione nga SHBA gjatë presidencës së Donald Trump.