SYRI TV/ Fier, 100 familje 2 muaj pa ujë në Afrim i Ri, uji i puseve i ndotur nga gropat septike

nga L. M

Rreth 100 familje në lagjen “Afrim i Ri” në Fier, prej dy muajsh po përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Sipas tyre, ky problem është i përsëritur, pasi çdo verë ndodh e njëjta gjë. Ata shprehen se, për shkak të ujërave të zeza, nuk janë në gjendje të përdorin as ujin e puseve të hapura për nevojat shtëpiake.

Vetëm 500 metra larg qendrës së qytetit të Fierit, një pjesë e lagjes “Afrim i Ri” po kalon një verë të nxehtë dhe të vështirë. Afro 100 familje, prej më shumë se dy muajsh, nuk kanë ujë në rubinetat e banesave të tyre. Problemi, sipas banorëve, nuk është i ri, pasi çdo verë përballen me të njëjtën situatë.

Dikur, zgjidhja e tyre ishin puset e hapura, por sot edhe ato janë bërë të papërdorshme. Shkak për këtë është bërë prania e gropave septike me ujëra të zeza, pasi lagja nuk ka rrjet kanalizimesh. Kjo e bën ujin e puseve të rrezikshëm për shëndetin.

Për të siguruar ujë, disa marrin nga komshinjtë që kanë hapur puse mbi 50 metra thellësi, ndërsa për gatim dhe konsum e blejnë nga autobotet që kalojnë në rrugicat e lagjes por kjo është një zgjidhje që ka kosto.

Banorët pohojnë se, që prej ndërtimit të banesave, nuk kanë pasur asnjëherë rrjet ujësjellësi apo kanalizime. Mungesa e investimeve ka bërë që disa prej tyre të nxjerrin shtëpitë në shitje, të dorëzuar përballë këtij realiteti.

Nga ana tjetër, burime pranë Ujësjellës-Kanalizimeve të Fierit bëjnë të ditur se punimet për rrjetin e ri të ujësjellësit janë drejt përfundimit dhe, paralelisht, po punohet për ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza. Sipas tyre, të dy projektet pritet të përfundojnë brenda vitit 2025.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More