Numri i diplomave të doktoraturave po tkurret me shpejtësi këto vitet e fundit, ku në vitin 2024 u dhanë vetëm 31 të tilla, ose 73 për qind më pak se në vitin 2023 dhe shumë më pak se në vitin 2017, kur u shpërndanë 890 doktoratura, thotë Monitor.
Ekspertët e arsimit i lidhin arsyet e rënies me reduktimin drastik të pranimeve në programet e doktoraturës dhe me emigrimin e lartë të të rinjve akademikë. Shqipëria po përballet me një hemorragji të humbjes së talenteve drejt vendeve të tjera që ofrojnë kushte më të mira për doktorantë dhe kërkues.
Anketat e mëparshme kanë treguar se Shqipëria ka nivelet më të larta të emigrimit të trurit në rang global në dekadën e fundit. Në Shqipëri, programet doktorale kanë pësuar tranzicion gjatë viteve të fundit. Në vitin 2014, qeveria shqiptare vendosi të mbyllë të gjitha programet e ciklit të tretë të studimeve (doktoraturat) në universitetet publike dhe private, për shkak të shqetësimeve mbi cilësinë dhe shkeljet procedurale. Kjo ndërprerje zgjati për rreth pesë vjet, duke shkaktuar pasoja negative për kërkimin shkencor dhe zhvillimin akademik në vend.
Nga ana tjetër, trupa akademike e universiteteve po plaket, ndërkohë që ka mungesa të brezit të ri me titull doktor. Kjo do të ndikojë në cilësinë e arsimit të lartë dhe në aftësinë për të konkurruar në nivel rajonal dhe europian. BE-ja kërkon nga vendet aspirante si Shqipëria zhvillim të qëndrueshëm të kërkimit shkencor, si pjesë e negociatave në kapitujt 25 dhe 26. Pa doktorantë dhe pa zhvillim shkencor të qëndrueshëm, Shqipëria do ta ketë më të vështirë të përmbushë këto standarde.
Rënia e doktoraturave është një sinjal alarmi për një boshllëk strukturor që po krijohet në sistemin akademik, shkencor dhe zhvillimor të vendit.
