Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku u shpreh sot raporti i fundit i publikuar nga ODIHR, ngre shqetësime lidhur me situatën e medieve në vend dhe pavarësinë e tyre.
Gjatë diskutimeve për dy rezoluta, atë të AMA-s dhe RTSH-së, në këtë Komision, tha se “raporti i ODIHR-it ngriti shqetësime lidhur me median dhe kushtet e vështira në të cilat punojnë gazetarët. Opozita do të punojë për paketën e medias dhe për forcimin e pavarësisë së saj”.
“Raporti thotë që edhe pse Kushtetuta mbron lirinë e shprehjes, shpifja është akoma e kriminalizuar. Raporti ngre shqetësimin që shumica e medieve perceptohen si të lidhura me partinë në pushtet, duhet të zbatohen masa për të mbrojtur autonominë editoriale, ndërsa RTSH thuhet që nuk gëzon një audiencë të gjerë, si edhe procedurat bipartizane të emërimit të drejtuesve janë një pavarësi faktike”, tha Tabaku.
“Ka shumë shqetësime sa i takon sulmeve ndaj gazetarëve, dhunës verbale, fizike, ndërhyrjen e zyrtarëve publikë. Gazetarët raportojnë akses gjithnjë e më të kufizuar te zyrtarët e Qeverisë, ndërsa raporti ngre shqetësim për Agjencinë e Medias dhe të Informacionit si një zyrë qendrore që komandon gjithë informacionin”, vijoi ajo.
Sipas raportit, Tabaku theksoi se edhe gjatë ditës së zgjedhjeve, zyrtarët e ODIHR raportuan një sërë rastesh intimidimi.
“Opozita do të punojë për paketën e medias dhe për forcimin e pavarësisë së saj. Opozita do të kërkojë që të ketë një debat dhe diskutim për atë që ka ndodhur me ‘News24’, një media, në gjykimin tonë, që është vënë nën presion të hapur nga mazhoranca. Në këtë komision do të kërkojmë të zhvillohet një dëgjesë jo vetëm për median në tërësi, por edhe në mënyrë të veçantë për rastin e ‘News24’, goditjen ndaj saj që cenuan pavarësinë e medias. Sulm i hapur ndaj një medieje të pavarur”, tha Tabaku.
Rezoluta për AMA-n u miratua me shumicë votash, ndërsa Tabaku e cilësoi atë si një institucion me shumë probleme, siç shprehet në raportin e ODIHR, me një varësi emërimi politik që ndodh nga Parlamenti.
