Minatorët e minierës së Spaçit në Mirditë prej disa ditësh po vijojnë protestën për kushte të mira pune, rritje pagash si dhe njohje të sindikatës.
Përmes një postimi në mediet sociale, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, njëherësh drejtuese e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, shprehu mbështetjen për protestën e minatorëve.
Tabaku bëri të ditur se i ka ftuar protestuesit që të diskutojnë në lidhje me të drejtat e problematikat e tyre në komisionin parlamentar.
“Kolegë të PD-së të qarkut Lezhë kanë pasur takime të shumta me minatorët që janë duke u pushuar nga puna në Spaç. Kjo është një çështje që shkon në shkelje të ligjit. Këta punonjës u keqtrajtuan nga policia e shtetit vetëm se protestuan. Këto punonjës janë duke u pushuar nga puna vetëm pse kanë protestuar e janë duke mbrojtur e kërkuar të drejtat e tyre”, u shpreh Tabaku.
Për këtë arsye, vijoi deputetja, i ka njoftuar minatorët që komisioni për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik është i hapur për të diskutuar për të drejtat e tyre, për të drejtën e tyre për punë, për të mbrojtur dinjitetin, dhe për të drejtën e tyre për t’u punësuar dhe për të pasur mundësinë që të organizohen sipas formave të tyre në sindikata.
Deputetja nënvizoi më tej se ajo “që ka ndodhur me këta punonjës është një shëmbëlltyrë e forcës së shtetit e cila shkel me këmbë fatkeqësisht, ata që janë shumicë në këtë vend dhe ata që jetojnë me punë të ndershme ndërkohë që mbështet me ligje e favore ato që janë në pakicë”.
“Për këtë arsye Komisioni do të jetë një derë e hapur ku mund të trokasë kushdo”, nënvizoi Tabaku.
Sipas medieve, rreth 70 punonjës të nëntokës në minierën e bakrit në Spaç të Mirditës kanë bojkotuar punën dhe ndodhen në ditën e 14-të të protestës së tyre. Ata kërkojnë kushte më të mira pune, paga më të larta, njohjen e sindikatës së krijuar prej tyre dhe nënshkrimin e kontratës kolektive me kompaninë.
