Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se, duhet ruajtur shtylla kurrizore e Gjykatës Kushtetuese.
Në fjalën e saj në panelin për drejtësinë kushtetuese në konferencën me temë “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”, Tabaku u shpreh se, “drejtësia kushtetuese është përpjekja më fisnike që mendjet më të përgjegjshme të politikës dhe të shtetit kanë ndërmarrë ndonjëherë për t’iu dhënë qytetarëve garanci ndaj abuzimit, mbrojtje ndaj tiranisë, por njëkohësisht dhe dinjitet përballë pushtetit”.
“Në thelb ajo është ideja se askush nuk është mbi ligjin, as shumica as pushteti. Besoj që kjo është dhe rrënja e demokracisë tonë”, nënvizoi Tabaku.
Deputetja demokrate theksoi se Komisioni i Venecias ka qenë partneri më i çmuar i demokracisë shqiptare.
“Një partner që gjatë 35 viteve rrugëtim demokratik, por njëkohësisht dhe 30 viteve anëtarësimin në Këshillin e Evropës ka ndihmuar që të ruhen ekuilibrat institucional, kanë ndihmuar edhe të forcojë shtetin e së drejtës”, u shpreh Tabaku.
Tabaku nënvizoi se mazhoranca ka vijuar përpjekjet për të ndikuar mbi përbërjen dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ajo që është edhe më shqetësuese është fakti se, ndonëse njohësit e mirë të Kushtetutës e dinë rrugën e duhur shpeshherë ne zgjedhim rrugën e forcës, jo atë që duhet”, tha ajo.
“Ndërprerja e mandatit të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese që deri dje përfaqësonte vendimet e minorancës është ndërhyrje e hapur në përbërjen e kësaj gjykate”, u shpreh Tabaku.
“Sa herë që vendimet pritet të jenë të rëndësishme, nis presioni për ndryshime”, shtoi ajo më tej.
“Ky instrumentalizim dhe kjo politikë e dy standardeve përbëjnë sot rrezikun më të madh për drejtësinë kushtetuese”, tha Tabaku, duke u shprehur se “duhet të gjithë të kujdesemi që t’ia ruajmë shtyllën kurrizore Gjykatës Kushtetuese”.
“Ndërprerja e mandateve kushtetuese, mosrespektimi i hierarkisë institucionale për dekretet e Presidentit, apo dhe refuzimi për të zbatuar qartë vendime të Gjykatës janë shembuj të kësaj logjike të rrezikshme”, tha Tabaku.
Sa i përket moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Tabaku tha se ato kanë prodhuar shpesh edhe krizat politike.
“Fatkeqësisht, me gjithë reformën në drejtësi, kemi parë që Parlamenti dhe jo rrallë qeveria kanë refuzuar të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Shpesh, krizat tona politike kanë qenë produkt i mungesës së respektit ndaj vendimeve të saj, e rrjedhimisht ndaj vetë Kushtetutës”, tha Tabaku.
