Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa mori pjesë në forumin “Siguria Kibernetike në Sektorin Bankar 2025”, organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës, në kuadër të Muajit të Sigurisë Kibernetike.
Në fjalën e tij, Tafa theksoi se sektori financiar është në fokus të Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2025–2030 të sapomiratuar, si një nga shtyllat më të rëndësishme për garantimin e besimit dhe stabilitetit ekonomik.
Ai nënvizoi se ngritja e Qendrave Sektoriale të Monitorimit (SOC) do të forcojë mbrojtjen, do të mundësojë reagim në kohë reale ndaj incidenteve dhe do të rrisë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve.
Duke folur për politikat shtetërore që mbështesin zhvillimin dhe sigurinë financiare, drejtori solli në vëmendje pjesëmarrjen e Shqipërisë në SEPA dhe zhvillimin e open banking, si shembuj të qasjeve që kombinojnë modernizimin digjital me sigurinë dhe transparencën.
Në përmbyllje, Tafa theksoi se siguria kibernetike është bazë e stabilitetit ekonomik, dhe se bashkëpunimi ndërinstitucional, teknologjitë e reja dhe vizioni afatgjatë janë thelbësore për ndërtimin e një ekosistemi financiar të qëndrueshëm dhe të mbrojtur digjitalisht.
