Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë reagoi sot lidhur me zhvillimet në seancën e djeshme plenare, ku u miratua programi i qeverisë së re për katër vitet e ardhshme, si dhe përbërja e kabinetit qeveritar, ndërkohë që opozita nuk mori pjesë në votim.
Në përgjigje të interesimit të ATSH-së, Delegacioni i BE-së në Tiranë thekson se parlamenti duhet të jetë një forum për debat konstruktiv, ku diskutohen politika dhe paraqiten pikëpamje alternative, duke promovuar kështu një kulturë dialogu.
“Në kontekstin e anëtarësimit, Parlamenti ka një rol vendimtar për të luajtur në debatin dhe miratimin e reformave legjislative që lidhen me BE-në, duke vlerësuar ndikimet e tyre dhe duke siguruar që ato të bazohen në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent”, thuhet në prononcimin e Delegacionit të BE-së për ATSH-në.
Delegacioni i BE-së nënvizon se “debati mbi programin e qeverisë së re për katër vitet e ardhshme do të kishte ofruar një mundësi të rëndësishme për të diskutuar pikëpamje dhe qasje të ndryshme ndaj objektivit të anëtarësimit, i cili mbetet një ambicie ndërpartiake”.
“Është për të ardhur keq që publiku shqiptar u privua nga mundësia për t’u informuar siç duhet dhe plotësisht rreth programit të Qeverisë dhe për të dëgjuar përfaqësuesit e saj të zgjedhur të diskutojnë përmbajtjen e tij, në përputhje me dispozitat e ligjit”, u shpreh Delegacioni i BE-së.
Delegacioni i BE-së në Tiranë siguron se “do të vazhdojë angazhimin e tij për të forcuar rolin e parlamentit si një institucion që promovon dhe mishëron dialogun e hapur dhe gjithëpërfshirës politik”.
“Ne besojmë se të gjitha partitë politike të Shqipërisë dhe të gjithë sektorët e shoqërisë do të jenë në gjendje dhe të gatshëm të luajnë rolin e tyre në kontributin drejt përparimit të Shqipërisë për përmbushjen e kërkesave të anëtarësimit në BE”, nënvizon Delegacioni i BE-së.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje me 82 vota pro programin qeverisës për katër vitet e ardhshme dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave.
Seanca në Kuvend dje, zgjati vetëm 25 minuta, pasi opozita bllokoi foltoren dhe nuk lejoi vijimin e prezantimit të programit qeverisës nga kryeministri Edi Rama. Po ashtu, deputetë të opozitës hodhën Librin e Kushtetutës dhe sende të tjera në drejtim të kryeministrit dhe të anëtarëve të qeverisë. Shkak i tensioneve ishte kundërshtia e opozitës për emërimin e Diellës si ministre për Inteligjencën Artificiale. Mazhoranca nga krahu tjetër kërkoi kalimin në proces votimi. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi hodhi në votim programin qeverisës për katër vitet e ardhshme dhe përbërjen e Këshillit të minitrave, që votua me 82 vota nga mazhoranca, teksa opozita nuk mori pjesë në votim.