Presidenti i Francës, Emmanuel Macron u përball sot me një presion në rritje – për të organizuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare ose edhe për të dhënë dorëheqjen – për t’i dhënë fund kaosit politik në ekonominë e dytë më të madhe të eurozonës, i cili ka detyruar pesë kryeministra të japin dorëheqjen në më pak se dy vjet, sipas “Reuters”.
Presidenti 47-vjeçar, ka thënë vazhdimisht se do ta çojë deri në fund mandatin e tij të dytë, i cili përfundon në vitin 2027.
Por, thirrjet për dorëheqje, janë bërë një pjesë kryesore e një prej krizave më të këqija politike që nga krijimi i Republikës së Pestë në vitin 1958, sistemi aktual i qeverisjes së Francës.
Ndërsa kryeministri në largim, Sebastien Lecornu, zhvilloi bisedime të fundit për të formuar qeverinë e re, kryeministri i tij i parë në vitin 2017, Edouard Philippe, tha se ishte koha që një president i ri të thyente bllokimin.
ALEATËT RRETHOJNË MACRON
Philippe, të cilin sondazhet e tregojnë si kandidatin më të mirë në pozicionin për të udhëhequr qendrën politike, ishte i dyti nga ish-kryeministrat e Macron që u distancua prej tij në po aq ditë.
Gabriel Attal, një tjetër ish-besnik i Macron, ishte i prerë në kritikat e tij. Ai ishte kryeministër për disa muaj, vitin e kaluar përpara se Macron të thërriste një votim të parakohshëm – që rezultoi në një parlament të varur me tre blloqe – ideologjikisht të kundërta.
“Si shumë francezë, unë nuk i kuptoj më vendimet e presidentit”, tha ai, pasi Macron i kërkoi Lecornu, i cili sapo kishte paraqitur dorëheqjen e tij, të kthehej te kundërshtarët për bisedime të fundit.
Lecornu, administrata 14-orëshe e të cilit ishte më e shkurtra në historinë moderne franceze, iu dha dy ditë për të gjetur konsensus.
Ai kishte planifikuar të zhvillonte sot bisedime me udhëheqësit e aleancës së qendrës së Macron dhe konservatorëve – të ashtuquajturës “platformë e përbashkët” – për miratimin e një kabineti të ri.
Megjithatë, ai do të ketë nevojë edhe për socialistët që të ketë numrin e nevojshëm për të formuar shumicën në Asamblenë Kombëtare – jo vetëm për të miratuar një buxhet për vitin e ardhshëm.
‘NJË RRËMUJË’
Dorëheqja e Lecornu u nxit nga kritikat e ashpra mbi përbërjen e qeverisë së tij.
Armiqtë dhe aleatët thanë se kjo përfaqësonte vazhdimësi dhe jo ndryshim.
Bruno Retailleau, kreu i partisë konservatore Republikane, tha se nuk donte ta shihte partinë e tij të përfshihej në një aleancë të gjerë të udhëhequr nga Macron, por nuk e mbylli derën për një kthim në qeveri.
Udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, partia e së cilës “Tubimi Kombëtar” kryeson sondazhet e opinionit, dëshiron zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Investitorët po e mbajnë nën vëzhgim aftësinë e Francës për të ulur deficitin buxhetor në rritje.