EGJIPT – Mohamed Abou el Naga ‘Bonga’, portieri egjiptian i klubit Wadi Degla dhe i ekipit kombëtar të këtij vendi, vdiq këtë të shtunë në moshën 36 vjeç pas disa ditësh në koma, për shkak të komplikimeve që lidhen me një problem të mëlçisë, njoftoi Federata Egjiptiane e Futbollit.
“Presidenti i Federatës Egjiptiane të Futbollit, Hany Abo Rida, anëtarët e bordit të drejtorëve, drejtori ekzekutiv, stafi teknik i ekipeve kombëtare dhe punonjësit e Federatës vajtojnë vdekjen e Mohamed Abou El Naga ‘Bonga’, portierit të ekipit kombëtar dhe të Klubit Wadi Degla”, tha entiteti në një deklaratë të publikuar orët e fundit në rrjetet e tij sociale.
Klubi shprehu keqardhje të thellë për ndarjen e tij nga jeta dhe u lut për shpirtin e tij në një notë, duke thënë se “ai ndërroi jetë në një ditë të trishtueshme që na ka errësuar zemrat”.
Lojtari ishte shtruar së fundmi në spital për komplikime në tretje dhe mëlçi që çuan në diagnozën e verdhëzës Edhe pse gjendja e tij u stabilizua për pak kohë, ai u transferua përsëri në kujdes intensiv të premten, ku vdiq të shtunën.
Me 29 paraqitje sezonin e kaluar, Bonga ishte një figurë kyçe në ngjitjen e Wadi Degla në Premier League egjiptiane – liga e parë e vendit arab – pas një mungese katërvjeçare nga liga e parë.
Ai u thirr shkurtin e kaluar nga trajneri egjiptian Wael Riad për ndeshjet kualifikuese të vendit arab për kampionatin e Kombeve Afrikane. Ai më parë ka luajtur për klubet egjiptiane Petrojet dhe Al Merreikh.
B.T (Dosja.al)
 
			        
 
			        